Brenda fundit të këtij viti, shqiptarët do mund të bëhen aksionerë të kompanisë që i furnizon me energji elektrike, për një përfitim reciprok. Këtë risi ka nënvizuar kryeministri Rama në prezantimin e strategjisë kombëtare të energjisë për 12 vitet e ardhshme. Kryeministri tha se projektet e interkonjeksionit, do rrisin peshën energjetike të Shqipërisë në rajon.
Deri dje qytetarët kanë dëgjuar për ndëshkime deri me burg për mospagesën e faturave të energjisë. Këtë herë kryeministri Edi Rama shfaqet i paqtë duke i lajmëruar se deri në fund të vitit do të kenë mundësinë të bëhen aksionere në kompaninë e shpërndarjes së energjisë elektrike.
“Kemi nisur punën për një IPO dhe shpresojmë që deri në fund të këtij viti të jemi gati t’u ofrojmë qytetarëve shqiptarë mundësinë e pjesëmarrjes si aksionerë në kompaninë e shpërndarjes së energjisë, me ambicien që vitin e ardhshëm, kompania të kthehet në një kompani ku pjesëmarrja masive e qytetarëve si aksionerë do të ketë një benefit reciprok për kompaninë dhe për qytetarët, të cilët do të mund të përfshihen në aksioneratin e kompanisë si kontribuues dhe si përfitues”.
Munguan shpjegimet se cilat janë përfitimet nga IPO që do të thotë se asetet e një kompanie private ofrohet per publikun dhe cfarë rrezikon investitori individual në këtë ofertë te re publike. Por Kryemnistri Edi Rama theksoi rëndësinë që ka liberalizimi 100 përqind i tregut të energjisë.
“Nëse do ta përmblidhja atë që ka ndodhur dhe atë që ne duam të bëjmë të ndodhë, është shumë e thjeshtë: Sektori i energjisë në Shqipëri ishte problemi më i madh, një gropë prej ku buronin të këqija zinxhir për ekonominë e vendit dhe edhe një kërcënim i vazhdueshëm. Sot është një potencial i vënë në rrugën e shfrytëzimit, që mbetet një sfidë e hapur dhe pikërisht këtë sfidë të hapur adreson në mënyrë të qartë ky dokument strategjik, që shtrihet në harkun e një kohe që, nëse i referohemi vitit 2030, mund të duket një kohë e pafundme, por në fakt është as më shumë e as më pak, por vetëm një duzinë vitesh”.
Është ministri i Energjisë Damian Gjiknuri që detajon objektivat e strategjisë së energjisë.
“Humbjeve teknike dhe jo-teknike të shpërndarjes së energjisë elektrike nga 26.4% në vitin 2017 do të arrijnë në 10% në vitin 2030. Do të vazhdojë rritja e arkëtimeve të energjisë elektrike nga 90% në vitin 2018 në 98% në vitin 2030. Ekonomia dhe shoqëria shqiptare të arrijë një nivel kursimi të energjisë kundrejt konsumit total me 15% në vitin 2030”.
Viti 2030 ka për qëllim që rrisë edhe nivelin përdorimit të energjive të rinovueshme dhe gazit natyror kundrejt konsumit total.
/abcnews.al