Ka përfunduar pas 10 orësh marrja në pyetje e kryeministrit Edi Rama në Komisionin Hetimor për Inceneratorët. Në fund të mbledhjes Rama refuzoi t’u përgjigjet pyetjeve të deputetes demokrate Ina Zhupa. Rama iu drejtua asaj duke thënë se nuk mund të bëjë pyetje duke përmendur akuza ndërsa me ironi shtoi se Zhupa do bëjë karrierë në Partinë Demokratike derisa ajo të drejtohet nga kryetari “vulëhumbur”.
Pas ndërprerjes së mbledhjes për disa minuta, kryetarja e Komisionit Jorida Tabaku i tërhoqi vëmendje kryeministrit Edi Rama duke iu drejtuar tij se nuk mund të sillem me bullizëm me një deputete. Rama u shpreh se Zhupa mori rolin e SPAK duke folur me gjuhën e akuzave në kundërshtim me ligjin për komisionet Hetimore.
Pjesë nga debati
Edi Rama: Zonja Zhupa e humbët mundësinë të komunikoni me mua. Kaq kisha me ju. E humbët që të keni nderin që unë të përgjigjem.
Ina Zhupa: Nëse ju besoni që një kryeministër nuk ka asnjë përgjegjësi i bie që asnjë kryeministër të mos akuzohet për korrupsion. Kryeministri nuk firmos vendim personal.
Edi Rama: Zonja Zhupa e humbët mundësinë që të keni nderin që unë të komunikoj me ju.
Ina Zhupa: A keni marrë ndonjë vendimmarrje pasi është arrestuar zoti Koka se çfarë po bëhet me koncesionet
Edi Rama: Ju do bëni karrierë në partinë ku jeni pasi nuk keni asnjë lidhje me turpin kur formuloni recitimet tuaja. Duhet të kesh humbur…
Jorida Tabaku: Nuk më duket normale të flasësh ashtu me një deputete. Nuk më duket normale zoti Rama
Edi Rama: Mua jo nuk më duket normale. Por mua më duket e neveritshme që pas gjithë kësaj maratone dhe atyre debateve që bëmë bashkë. Ju jeni kryetare komisioni. Tani në fund fare kjo bën një recitim sikur është në një botë tjetër. Kjo është të kesh shkulur spinën me turpin. Ju do bëni karrierë sepse aty sa më shumë të recitosh nën shembullin e atij kryetarit vulëhumbur. Këtë karrierë do e bësh derisa të kesh atë kryetar
Jorida Tabaku: Zoti Rama ju tërheq vëmendjen sepse nuk mund t’i flasësh ashtu një deputeteje të Kuvendit të Shqipërisë.
Edi Rama: Pikërisht se është vajzë duhet të përmbahet shumë herë më tepër. Ku ishe moj, në hënë ishe deri tani. T’u përgjigja disa herë, por e ndryshova përgjigjen kur bëre prapë një akuzë pa pikë turpi. Po ku je ti këtu. Ka njerëz këtu që na ndjekin. Nuk mundesh ti të ngresh gishtin.
Jorida Tabaku: Për sa kohë që unë jam kryetare e komisionit gjykoj që ju nuk mund të silleni me bullizëm ndaj një deputeteje. Shpresoj të kemi mirëkuptim që ajo që ndodhi të mos ndodhë më në këtë sallë.
Edi Rama: Zonja Tabaku nuk mbaj mend të jem zënë me ju sot. Unë do pres 45 milionëshin tjetër. Pasi u bë ai debat mes nesh ju vendosët një standard mes nesh. Pjesa tjetër e pyetje përgjigjeve ishte brenda ligjit të komisionit hetimor. Pastaj vazhdoi me zotin Këlliçi. Të dy me mikrofonat hapur. Bëri edhe komentet që mua nuk më pëlqyen por nuk pashë asgjë të pakapërcyeshme. Pasi kemi bërë gjithë këtë dhe gjendem përballë një recitimi të akuzës së SPAK. Nëse zonja është pedagoge i shpreh LIVE ngushëllime studentëve të saj. U lexua këtu akuza e SPAK. Le të jetë publike. Në këtë komision nuk bëhen akuza penale. Ky komision nuk mund të përdoret për të influencuar hetimin. Zonja ka një kapacitet që do ta ndihmojë të bëjë karrierë në atë parti. Ka shkëputur prizën me turpin.
Jorida Tabaku: Është e turpshme për mua që një kryeministër të sillet kështu me këtë komision që ka treguar seriozitet.
Edi Rama: Jam në dispozicion për çdo pyetje
Jorida Tabaku: Kam dy çështje të fundit. Si ka mundësi që çdo koncesion të dyshimtë e mbroni por nuk i analizoni këto koncesione. Sulmi që keni përdorur ndaj opozitës duke ngritur pyetje dhe pikëpyetje ndaj personave që janë në kërkim, i përdorni kundër opozitës dhe njëherë nuk ngrini pikëpyetjen që mund të jetë faji edhe në anën tjetër. Hija e dyshimit është vetëm te ne. Edhe te këto tre kontrata me tre persona në kërkim që vazhdojnë të paguhen nga buxheti i shtetit.
Edi Rama: Zonja Tabaku duhet të ballafaqoheni, 36 mln dhe 24.7 sipas aritmetikës time bëjnë 55.3 mln që janë investimet për impiantin e Elbasanit dhe për impiantin e Fierit që do jetë pronë e bashkisë së Fierit. E konsideroni angazhimin 430 milionëshe dhe ia keni bërë shqiptarëve sikur iu janë marrë atyre nga rrogat për organizatat kriminale. Si ka mundësi zonja Tabaku që një person si ju të angazhohet në këtë lemeri. Më thoni këtë 430 mln nga dalin
Jorida Tabaku: Partia Demokratike dhe unë personalisht qenkemi kaq të zotë sa u kemi mbushur mendjen shqiptarëve që këto 430 mln euro nuk janë shifra të sakta. Sot nuk ka shqiptar që nuk e di që përveç të sotmes ke koncesionuar edhe të ardhmen. Paratë po shkojnë për personat e shpallur në kërkim.
/abcnews.al