Kryeministri Edi Rama ka përgëzuar forcat e policisë së Shkodrës pas një operacioni në të cilën goditën një grup kriminal që merrej me fajde. Sipas kreut të qeverisë sot shkodra është më e qetë dhe e sigurtë dhe policia po bëhet më efikase.
“Përshëndetje dhe përgëzime të gjithë forcave policore që u angazhuan në superoperacionin e Shkodrës, duke çmontuar dhe çuar prapa hekurave një grup kriminal keqbërësish. Sot Shkodra është më e qetë e më e sigurtë se asnjëherë dhe Policia e Shtetit çdo ditë më efikase”, shkruan Rama në Twitter.
Edhe ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, reagoi në rrjetet sociale duke e konsideruar këtë operacion si një sukses që do të motivojë më tepër policinë.
““Maranaj”, për një Shkodër e Shqipëri të lirë nga krimi. Policia e Shtetit dha sot një tjetër goditje madhore kundër krimit të organizuar dhe financave të tij. Ky sukses motivon më tej Policinë dhe qytetarët për të vijuar së bashku përpjekjen për Shqipërinë evropiane”, tha Lleshaj në Twitter.
11 persona u vunë në pranga këtë të enjte nga policia e Shkodrës. Ata ishin pjesë e një grupi që merrej me fajde. Prokuroria ka njoftuar se të përfshirë janë edhe 11 persona të tjerë mes tyre avokatë, policë dhe ish-kancelari i Gjykatës së Shkodrës. Ky grup jepte para me fajde, por nëse klientët nuk mund t’i kthenin, ata u merrnin pronën, shtëpitë dhe gjithçka kishin./abcews.al