Rama për median serbe: E shoh Kurtin në tryezën e “Open Balkan”! Kosova një ditë do të jetë pjesë, s’kam dyshime

schedule10:59 - 3 Shtator, 2022

schedule 10:59 - 3 Shtator, 2022

Besoj se çdo vend i rajonit duhet të jetë pjesë e Ballkanit të Hapur, deklaroi kryeministri Edi Rama për Euronews Serbia.

“Tetë vjet më parë erdha për herë të parë në Beograd dhe Serbi. Nuk ishte hera e parë vetëm për mua, por 68 vjet pas vizitës së fundit të një zyrtari të lartë shqiptar në Serbi, pra në Jugosllavi. Ndryshimet që kanë ndodhur janë të mëdha dhe pozitive dhe kjo është një gjë e mirë. Natyrisht që ka dallime, nuk pajtohemi për të gjitha çështjet, ka mosmarrëveshje të mëdha, sigurisht që po flasim për Kosovën. Megjithatë, e kuptoj se mospajtimi për disa çështje dhe dakordësia për të bashkëpunuar për të tjerat është mënyra më e mirë për të ecur përpara. Në këtë mënyrë do të mësojmë të njohim dhe kuptojmë më mirë njëri-tjetrin dhe do të mësojmë ta vendosim veten në pozicionin e tjetrit. Në këtë mënyrë, përfundimisht do të kuptojmë se edhe ato probleme që janë të vështira për t’u zgjidhur mund të zgjidhen në fund. Marrëdhëniet në rajon për mendimin tim janë më të mira se kurrë, por jo aq të mira sa duhet”, thotë Rama.

Në një intervistë për Euronews Serbia, kryeministri shqiptar ka folur për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Serbisë, çështjen e Kosovës, por edhe të ardhmen e Ballkanit të hapur dhe qëndrimet e Bashkimit Evropian dhe vendeve të tjera të rajonit për këtë iniciativë.

– Nuk është sekret fakti që Serbia dhe Shqipëria kanë pikëpamje krejtësisht të ndryshme për disa çështje të vështira si Kosova. Si keni arritur t’i kapërceni këto dallime?

Rama: Sigurisht, duke mos i injoruar ato probleme, por, siç thashë, duke u përpjekur t’i shohim si një problem që duhet zgjidhur në një proces të vetëm. Ajo rrugë duhet të jetë e mbushur me energji pozitive dhe vullnet të mirë, për të forcuar marrëdhëniet, për të njohur njëri-tjetrin dhe për të kuptuar më mirë njëri-tjetrin, me besimin se përfundimisht problemi duhet të zgjidhet. Natyrisht, nuk do të zgjidhet me ndonjë shkop magjik, as nuk mund të zgjidhet me përdorimin e forcës.

– A e shihni atë energji pozitive kur përmendim këtë pyetje të vështirë?

Rama: Tani për tani, jemi në Beograd për të hapur Festivalin e Verës, i cili mblodhi së bashku prodhues të shumtë, jo vetëm nga Serbia dhe Shqipëria, por edhe nga Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Bosnja, verën e kam parë edhe nga prodhuesit tanë edhe nga tregtarët ndërkombëtarë. Është e mrekullueshme për të gjithë. Por, sot mund të ishte krejtësisht ndryshe, nuk mund të bashkoheshim, sepse diçka e keqe mund të kishte ndodhur në kufirin në veri të Kosovës. Por, nuk ndodhi, sepse kishte një zgjidhje. Tani, pse u investua kaq shumë energji dhe pse ishte kaq stresuese, pse u harxhua kaq shumë kohë dhe pse kishte kaq shumë gjak të keq? Për një zgjidhje, e cila mund të mos jetë zgjidhje për gjithçka, por për një aspekt të rëndësishëm, por vetëm një. Megjithatë, kjo çështje ka kapur disi jo vetëm marrëdhëniet mes dy vendeve tona, por edhe të gjitha të tjerat, marrëdhëniet e rajonit dhe Bashkimit Evropian, Amerikës dhe gjithë të tjerëve. Pyes veten pse? Nuk dua ta pranoj, sepse në fund ka një zgjidhje të thjeshtë teknike.

Por nuk është kaq e thjeshtë. Në fillim të gushtit pati tensione të mëdha mes Beogradit dhe Prishtinës dhe situata ishte në prag të konfliktit. Ju thatë se Ballkani i Hapur është shumë i rëndësishëm. Shpjegojuni shikuesve tanë se si Ballkani i Hapur mund të ndikojë në këtë problem. Të gjithë e dinë që unë jam 100 për qind në anën e qeverisë së Kosovës kur bëhet fjalë për njohjen. Megjithatë, nuk është sekret se unë kam një mendim të ndryshëm nga qeveria e Kosovës kur është fjala për dialogun me Serbinë dhe qasjen në Ballkanin e Hapur. Unë besoj se Kosova duhet të marrë pjesë në Ballkanin e Hapur. Presidenti Vuçiç thotë se të gjithë mund të ulen në atë tryezë.

– Por, a mund ta imagjinoni vërtet që Kosova të jetë pjesë e projektit të Ballkanit të Hapur?

Rama: Le të kthehemi në gusht. Nëse do të kishte një Ballkan të Hapur, ai problem specifik do të zgjidhej përmes Ballkanit të Hapur. Sepse, në fund të fundit, zgjidhja qëndron në Ballkanin e Hapur. Problemi me kartën e identitetit, pikërisht me këtë kemi të bëjmë. Nëse po, është gjetur një zgjidhje që do të shmangë probleme më komplekse. Në fund të fundit, megjithatë, kjo është zgjidhja. Nuk ka asnjë konflikt sot atje. Nga ajo ngjarje mund të nxirren dy mësime. Së pari – ne kemi parë që zgjidhjet mund të arrihen dhe të gjenden pa iu drejtuar tensioneve maksimale dhe pa pasur nevojë të shpenzohen vite për të gjetur një zgjidhje, dhe dy – që është një zgjidhje nga dominimi i Ballkanit të Hapur.

– Keni folur me dikë nga Kosova?

Rama: Unë e respektoj sovranitetin e tyre në vendosjen se si të trajtohet kjo çështje. Unë besoj fuqimisht se Open Balkans është një mundësi e shkëlqyer për të gjithë, përfshirë edhe ata, dhe se përfshin dialogun ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Sepse, në fund të fundit, të gjithë jemi njerëz dhe ngjajmë shumë më tepër nga sa mendojmë, kur shikojmë njëri-tjetrin nga larg ose kur shikojmë njëri-tjetrin në prizmin e historisë, të së shkuarës dhe ngjarjeve të dhimbshme. Ne do të kuptojmë se jemi njësoj në të folur, komunikuar dhe përballuar. Në vitin 2014 ekzistonte rreziku i një këputjeje edhe për 68 vite të tjera, sepse Aleksandri ishte i pakënaqur, thënë më butë, me deklaratën time para gazetarëve kur thashë se Serbia duhet ta njohë Kosovën. Ai ishte i irrituar. Më kujtohet mirë që pas konferencës për shtyp, u freskuam pak para drekës, ai ishte i rrethuar nga ekipi i tij. Duke qenë shumë më i gjatë se ata, dukej si një kullë e rrethuar me mure. Unë iu afrova me një shishe dhe ai më tha: “Më thuaj pse nuk të kam dëbuar akoma nga Serbia?”

Unë i thashë: “Nuk jam i çuditur, sepse për këtë je president, e ata jo, janë thjesht këshilltarët e tu”. Pastaj në mbrëmje erdhëm këtu, shëtitëm dhe përsëri ishte shumë i tensionuar. Megjithatë, në fund ramë dakord që nëse do të vazhdonim të ziheshim dhe të përpiqeshim t’i mbyllnim gojën njëri-tjetrit, nuk do të ishte e mundur të ndërtonim asnjë lloj marrëdhënieje. Më tha: “E çfarë do të ndodhte sikur të vija në Shqipëri dhe të thosha “Nuk do ta njohim Kosovën?”. Unë iu përgjigja “Mund të thuash çfarë të duash në Shqipëri, unë nuk do të sillem siç bëre ti këtu. Por, përsëri, kjo nuk është një arsye për të mos vazhduar të flasim. Mendoj se ka një kapacitet shumë më të madh për të kuptuar njëri-tjetrin dhe ky është një parakusht për ndërtimin e paqes.

– Por, a mund ta imagjinoni Albin Kurtin të ulet në të njëjtën tryezë me liderët e tjerë të Open Balkans?

Rama: Sigurisht. Unë kam aftësinë të imagjinoj gjëra që të tjerët nuk do t’i mendonin kurrë. Nuk është çmenduri, nuk është marrëzi, por guxim, ambicie dhe besim. Unë besoj në të, dua me ambiciozitet të ndërtoj paqen me të tjerët dhe kam guximin ta them. Dhe sigurisht që mund ta imagjinoj këtë. Unë mendoj se kjo do të ndodhë. Sigurisht, me koston e kohës së humbur. Kosova një ditë do të jetë në Ballkanin e Hapur. Nuk ka dyshim për këtë, sepse është e ardhmja. Ose do të jemi këtu, së bashku, duke festuar produktet e popujve tanë, duke i ndihmuar ata të prodhojnë dhe tregtojnë më shumë, ose do të nxisim konfliktet, gjakun dhe gjithçka tjetër.

–  Ndërkohë, Ballkani i hapur nuk është zgjeruar. Ai përbëhet nga vendet që kanë nisur nismën – Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria. Si e komentoni faktin që Bosnja dhe Hercegovina dhe Mali i Zi nuk iu bashkuan projektit?

 Rama: Kryeministri i Malit të Zi kundërshtoi edhe një herë sot, në mënyrë shumë të qartë. Shumëçka ka ndryshuar me Malin e Zi. Problemi është se Ballkani i Hapur është peng i politikës së brendshme. Edhe në Shqipëri është temë për mosmarrëveshje të brendshme politike. Nuk do të flas këtu për ato çështje të brendshme politike. Në Mal të Zi është njësoj si në BeH. Është për të ardhur keq, sepse në fund të fundit, Ballkani i Hapur është një mekanizëm për të zbatuar gjithçka që është rënë dakord në parim me Procesin e Berlinit në procesin që ne kontrollojmë. Cili është ndryshimi? Nuk ka asnjë ndryshim në aspektin thelbësor. Por, procesi i Berlinit do të thotë që një herë në vit, mblidhemi diku nën kujdesin e kancelarit gjerman dhe diku tjetër, arrijmë një marrëveshje për të njëjtat çështje, por asgjë nuk ndodh. Ne krijuam Ballkanin e Hapur sepse mendonim se duhej një shtytës për atë proces. Ai iniciator duhet të jetë nga rajoni.

–  Pse është i rëndësishëm Ballkani i Hapur për Shqipërinë dhe çfarë sjell ai për qytetarët e vendit tuaj?

Rama: Përmenda disa numra sot. Unë u thashë njerëzve: “Dëgjoni, fermerët dhe tregtarët shqiptarë nuk pritën që Ballkani i Hapur të fillonte tregtinë me Serbinë ose Maqedoninë e Veriut, ata filluan ta bëjnë shumë më herët. Ose thonë se me Ballkanin e Hapur, Serbia do të dominojë tregun. Dominimi më i madh në treg në Ballkan është dominimi i produkteve serbe në Kosovë. Nuk ka Ballkan të Hapur, por ka dominim.Pra nuk bëhet fjalë për Ballkanin e Hapur si i tillë kur është fjala për funksionimin e forcave të tregut. Fermerët, tregtarët, importuesit dhe eksportuesit tashmë po e bëjnë punën e tyre me dhimbje të mëdha për shkak të kalimit të kufijve. Ata tani po shijojnë përfitimet dhe jo vetëm kaq – po shtojnë aktivitetin e tyre. Tregtia midis tre vendeve është rritur me më shumë se 30 për qind gjatë vitit të kaluar. Dhe e kam fjalën vetëm për prodhimet bujqësore dhe plehrat. Eksporti i Shqipërisë i këtyre produkteve në Serbi u rrit me gati 30 për qind. Për të mos folur për turistët dhe të gjitha importet dhe eksportet. Këto janë faktet.

– Dhe besoni se çdo vend në rajon do të jetë pjesë e Ballkanit të Hapur?

Rama: Kjo është një nga gjërat për të cilat jam i sigurt.

– Dëgjojmë kritika nga Bosnje-Hercegovina se Ballkani i Hapur është në fakt një projekt i Serbisë së Madhe. Si reagoni ndaj këtij komenti?

Rama: Kam dëgjuar edhe se disa kritikë këtu thonë se në fakt është një projekt i Shqipërisë së Madhe. Unë u thashë miqve tanë boshnjakë: “Nuk e di çfarë ka të bëjë me Serbinë e Madhe fakti që një shalqi duhet të presë dy ditë në kufi për të hyrë në Bosnje dhe pse qumështi duhet të thahet dhe të bëhet kos ndërsa pret në kufi, të gjitha për shkak të mosmarrëveshjeve të ndërsjella. Si mund të thotë dikush se liria e lëvizjes së mallrave, njerëzve, kapitalit dhe shërbimeve – këto janë katër liritë – si mund të thuhet se Bashkimi Evropian promovon diçka të ngjashme me Serbinë e Madhe ose Shqipërinë e Madhe çdo vend tjetër. Ai mund të promovojë vetëm Bashkimin e Madh Evropian. Dhe ne ramë dakord për këtë. Nuk e kuptoj, mendoj se ka të bëjë me politikën,nuk është mirë dhe e kthen politikën e jashtme në politikë të brendshme dhe anasjelltas.Vetëm dëmton na dhe na shkatërron.

– Çfarë mendoni, si e sheh administrata e Brukselit Ballkanin e Hapur?

Rama: Ata kanë mendime të ndryshme, jo vetëm një, sepse është një makinë e madhe. Është Komisioni i Zgjerimit, pastaj kryetari i Këshillit, ata e shprehën hapur mbështetjen e tyre për projektin, disa të tjerë ishin më pak entuziastë. Por askush nuk është kundër. Ata thonë se Ballkani i Hapur duhet të jetë gjithëpërfshirës. Ne jemi dakord, por nuk mund të përfshijmë të tjerët me forcë. Është gjithëpërfshirës dhe i hapur. Dhe ndoshta Aleksandar Vuçiç gënjen – prandaj ejani dhe shikoni vetë – nëse gënjen, ekspozojeni dhe thuajini botës se është gënjeshtar. Por ndërsa ai është aty duke buzëqeshur dhe duke thënë “eja” dhe ti refuzon, atëherë ai nuk është gënjeshtar, je ti, sepse po pretendon diçka për të cilën nuk ke prova. Pra, ejani dhe shikoni vetë. Unë u thashë miqve të mi nga Kosova, “ejani dhe shikoni vetë”. Nëse Aleksandar Vuçiç ju thotë se nuk ju pranoj, unë do të dal prej andej bashkë me ju. Sepse kjo është diçka për të cilën kemi rënë dakord më herët. Ballkani i Hapur nuk është vendi për të folur për histori. Çështjet historike nuk mund të zgjidhen në kuadër të Ballkanit të Hapur apo në Bruksel. Ne pamë në rastet e Bullgarisë, Maqedonisë së Veriut. Çështjet historike zgjidhen ngadalë dhe me themel, në kuadër të proceseve afatgjata, nuk zgjidhen nga politikanët. Pra, eja, ulu në tryezë dhe le të shohim.

– Sa herë që politikanë nga Bashkimi Evropian vijnë për të vizituar Ballkanin Perëndimor, dëgjojmë mesazhe se ai është pjesë e Evropës Perëndimore dhe se ka perspektivë për t’u anëtarësuar në BE. Më duhet t’ju pyes – çfarë mendoni për ato mesazhe, si kryeministër i një vendi që nuk ka hapur ende asnjë kapitull në negociata?

 Rama: Mendoj se qëllimet e tyre nuk janë të këqija dhe se nuk po flasin kot, por hapësira e tyre për manovrim është ngushtuar. Bashkimi Evropian është në telashe dhe kjo dihet. Nuk i fajësoj, por ndjej se kam të drejtë të them atë që mendoj.

–  Dhe cili mendoni se është problemi me këtë pjesë të Evropës?

Rama: Unë mendoj se Bashkimi Evropian ka një problem sistematik me vetveten. Procesi i vendimmarrjes është jashtëzakonisht i ndërlikuar dhe i ndikuar shumë nga politika e brendshme. Është bërë një vend ku zgjerimi i BE-së është bërë peng i axhendave që nuk kanë të bëjnë fare me Evropën, por me axhendat e vendeve individuale. Ne jemi shumë të varur nga zgjedhjet e tyre, dhe ka 27 zgjedhje parlamentare, 27 zgjedhje lokale dhe po aq zgjedhje rajonale dhe të Parlamentit Evropian. Disa nga këto zgjedhje janë të kombinuara, të tjerat janë të ndara, por zgjedhjet mbahen praktikisht gjatë gjithë kohës. Unë u thashë qytetarëve të mi – nëse doni të dini se si do të sillet një vend në gjashtë muajt e ardhshëm, kontrolloni nëse kanë zgjedhje. Nëse nuk ka zgjidhje, ata do të jenë shumë më simpatikë ndaj nesh dhe do të na trajtojnë më mirë. Nga ana tjetër, nëse zgjedhjet vijnë, ato do të përmendin korrupsionin, trafikun e qenieve njerëzore dhe kontrabandën. Ja sa të thjeshta janë gjërat.

– Mirë, por kjo rrugë për në BE është shumë e gjatë, apo jo?

Rama: Kjo nuk duhet ta shqetësojë Shqipërinë.

– Pse, a nuk mendoni se njerëzit në vendin tuaj janë lodhur duke pritur për hyrjen në BE?

Rama: Para së gjithash, duhet të jemi të sinqertë me veten dhe të jemi të qartë për rëndësinë e procesit të integrimit. Rëndësi për ne, jo për ata. Për të modernizuar demokracitë tona. Procesi i integrimit është një transferim i njohurive dhe përvojës që nuk ekziston askund tjetër. Ata e kanë atë “know-how”, gjithë ato mekanizma se si të krijohet një gjyqësor i ri, si të krijohet një administratë funksionale dhe sisteme të tjera, sepse ata thjesht dinë ta bëjnë këtë. Po, është një proces i gjatë dhe i dhimbshëm, por është i mirë për ne. Ndërkohë, nuk duhet të traumatizojmë veten çdo vit nëse një kapitull është hapur apo jo. Jo, ne duhet të vazhdojmë të punojmë për të përmirësuar vendet tona. Sa i përket shqiptarëve, ata janë shumë të ndryshëm nga serbët, sa i përket marrëdhënieve me Evropën. Ne jemi të orientuar pro perëndimorë. Për shkak të historisë sonë, ne ishim plotësisht të izoluar në bllokun sovjetik, një shoqëri thjesht staliniste deri në vitin 1990. Ne ishim Koreja e Veriut e Evropës. Ne morëm më të keqen nga Rusia, dhe më të dhimbshmen nga Kina, stalinizmin dhe Revolucionin Kulturor.

– Po, por ndoshta për këtë ju jeni në një pozitë më të mirë se Serbia, por përsëri nuk keni hapur asnjë kapitull?

Rama: Nuk ka të bëjë me pozicionin, ka të bëjë me ndjenjën. Asnjëra nuk ka ndikuar në historinë tonë, kështu që ne kemi një zgjedhje. Për ne ka vetëm një zgjedhje, ajo është Perëndimi. Për ju ka Lindje, Perëndim, Lindje të Largët… Ju jeni në një pozicion tjetër.

–  Ne kemi miq në Lindje dhe në Perëndim, por politika jonë është BE.

Rama: Unë di gjithçka, por ne po flasim për njerëzit dhe e di që është më e vështirë të flasim për BE-në këtu, sepse Putini është një hero këtu. Në Shqipëri, më pak se një për qind e njerëzve pajtohen me Putinin, ky është një ndryshim i madh.

 – Çfarë dimri pret në aspektin politik, ekonomik dhe energjetik?

 Rama: Kjo është pjesa më e vështirë dhe sërish, me Open Balkans, kemi pak më shumë liri veprimi sepse mund të ndihmojmë njëri-tjetrin. Serbia na ndihmoi kur kishte konfuzion për grurin dhe vendet eksportuese, përfshirë Serbinë, bllokuan tregtinë e eksportit. Importuesit shqiptarë kishin porositur sasi të mëdha nga Serbia dhe presidenti Vuçiç i kishte lëshuar ato, falë Open Balkans, gjatë natës dhe për Maqedoninë e Veriut. Për importuesit tanë, prokurimi i grurit nuk ishte më problem dhe ishte shumë i vlefshëm në atë kohë. E njëjta gjë vlen edhe për mekanizmin kundër zjarreve dhe fatkeqësive. Kemi krijuar një mekanizëm të përbashkët për të ndihmuar njëri-tjetrin dhe besoj se kështu do të jetë edhe në dimër kur situata është e vështirë.

 – A do të ketë kufizime të energjisë në vendin tuaj?

 Rama: Askush nuk e di. Shpresoj që jo.

 – Deri në çfarë mase lufta në Ukrainë kërcënon stabilitetin e këtij rajoni, të Ballkanit Perëndimor?

 – Besoj edhe një herë se Ballkani i Hapur ndihmon, në kuptimin psikologjik dhe njerëzor, të mbrohemi sa më shumë nga ndikimi i mundshëm i luftës në këtë pjesë të botës. Ballkani është një hallkë e dobët. Nuk ka asnjë vend tjetër në Evropë ku Rusia ka më shumë ndikim se Serbia apo Republika Srpska. Është e qartë. Nuk ka vend tjetër ku Putini dhe ajo që ai bën janë më të njohura se këtu. Është dobësi nëse nuk mendojmë se çfarë duhet të bëjmë këtu. Nëse do të jetonim krejtësisht të izoluar dhe të ndarë nga njëri-tjetri, nëse Serbia nuk do të qendronte fort në rrugën evropiane e kështu me radhë, falë politikës, udhëheqjes së presidentit dhe gjithçkaje tjetër, sot do të ishim në një problem të madh. Kjo nuk do të thotë, sigurisht, se nuk është problem.

 Prandaj e përsëris kudo – mos e detyroni Serbinë të vendosë sanksione ndaj Rusisë sepse kjo do të krijojë një problem shumë më të madh. Së pari, sepse Serbia nuk ka kapacitet për të vendosur sanksione ndaj Rusisë, nuk ka kapacitet teknik për të jetuar pa gazin rus dhe as aftësi financiare për të mbijetuar në atë mënyrë. Fakti që Serbia votoi tre herë radhazi në OKB për të dënuar agresionin, madje edhe për të përjashtuar Rusinë nga Komiteti i të Drejtave të Njeriut, është një punë e madhe. Sigurisht, ne jemi 100 për qind në përputhje me BE-në dhe Perëndimin kur bëhet fjalë për sanksionet. Sigurisht, do të preferoja që Serbia të vendoste sanksione kundër Rusisë. Por, unë mendoj se do të krijonte më shumë probleme sesa do ta bënte Rusinë më të vështirë sesa është tashmë.

 Pra, nuk besoj se sanksionet e Serbisë do ta dëmtonin Rusinë më shumë se sa është tashmë, por ai presion do të shkaktonte më shumë dëme në marrëdhëniet mes Serbisë dhe Perëndimit. Kjo do të ishte një fatkeqësi sepse mund të shkatërronte gjithçka këtu. Është që ta vendosni veten në vendin e tjetrit dhe mendoj se ka një kuptim më të mirë, edhe në Evropë, për këtë. Nuk e shoh presionin ndaj Serbisë të rritet, përkundrazi – ka mirëkuptim – por në të ardhmen Serbia padyshim që do të duhet të harmonizohet edhe më shumë me BE-në, nuk ka rrugë tjetër.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!