Rama për gazetën italiane: Në Shqipëri nuk ka kaos

schedule14:59 - 24 Shkurt, 2019

schedule 14:59 - 24 Shkurt, 2019

Situata e tensionuar politike vijon të ngjallë interesin e mediave të huaja. Së fundi është Gazeta italiane “Il Fatto Quotidiano” që ka zhvilluar një intervistë me kryeministrin Edi Rama sipas të cilit nuk ka asnjë kaos dhe nuk ka asnjë revoltë popullore.

Vazhdon t’u thotë jo vetëm shqiptarëve se gjithçka po ndodh është një tekë e opozitës për t’iu shmangur drejtësisë dhe humbjes në zgjedhje. Këtë përgjigje i ka dhënë edhe gazetës së njohur italiane “Il Fatto Quotidiano”.

“Nuk ka asnjë kaos dhe nuk ka asnjë revoltë popullore. Nuk kanë dalë në shesh as jelekverdhët, as sindikatat, as studentët dhe as anarkistët, por opozita parlamentare që disa vite më parë u dërgua në shtëpi nga populli pasi shkatërroi ekonominë dhe mbyti vendin në kënetën e korrupsionit dhe të pandëshkueshmërisë. Jo vetëm që e largoi, por pas katër vitesh i dha një humbje elektorale edhe më të rëndë. Dhe tani ja ku jemi, nuk duan që të përballen në zgjedhjet lokale të Qershorit sepse i pret një tjetër humbje e qartë”.

Sipas kryeministrit Rama, opozita ka bërë gjithçka për të bllokuar reformën në drejtësi, megjithatë nuk ka mundur ta ndalojë. Sa i përket akuzave se disa kryebashkiakë të Partisë Socialiste kanë pasur probleme me drejtësinë, kreu i qeverisë i mohon.

“Kjo nuk është e vërtetë. Ne qeverisim në gati tre të katërtat e Shqipërisë në nivel lokal dhe ka pasur vetëm një kryebashkiak që është larguar sipas ligjit të ri mbi precedentet penale, një lloji ligji “Severino” shqiptar, por shumë më e ashpër. Nuk më ka pëlqyer asnjëherë të flas në gjuhë të huaj për kundërshtarët e mi politik, por ajo që i kanë bërë vendit javën e fundit, duke eksportuar imazhe dhune mbi institucionet, është e pafalshme.”

Por gazetari italian këmbëngul duke e pyetur se ata kryebashkiakë që rezultojnë të jenë ende nën hetim nga ana e magjistraturës a do të rikandidohen në qershor?

“Aktualisht, asnjë prej kryebashkiakëve tanë nuk është nën hetim. Shihni se si mashtrimet dhe shpifjet bëjnë xhiron e botës?”

Kryeministri Rama sqaron edhe hetimin që kërkoi opozita ndaj dy ish-ministrave të tij.

“I pari u akuzua në lidhje me disa përgjime që i ishin bërë dy trafikantëve nën proces në Katania. Por edhe pse ky sulm mbante erë, unë kërkova largimin e tij nga grupi parlamentar dhe nga të gjitha rolet në krye të partisë. Ndërsa, për vëllain e ministrit kishte një dënim të shumë kohëve më parë, që nuk ishte ekzekutuar asnjëherë, sepse shteti italian nuk kishte kërkuar ekstradimin”.

Sa për largimin e të rinjve shqiptarë drejt Gjermanisë, kreu i qeverisë thotë se Shqipërisë i duhet ende kohë për të arritur modernizimin e Italisë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!