Rama: Nuk kam kohë të pres Bashën e Kryemadhin të kandisen për të folur

schedule13:08 - 30 Korrik, 2019

schedule 13:08 - 30 Korrik, 2019

Kryeministri Rama gjatë bashkëbisedimit me gazetarët ditën e sotme u shpreh se është i gatshëm për t’u ulur me opozitën jashtë parlamentit dhe të diskutojë për përmirësimin e çështjeve shumë të rëndësishme në vend, por jo të diskutojë me opozitën asgjë që lidhet me vullnetin e popullit të shprehur me votë.

I pyetur nga gazetarët nëse i frikësohet SPAK ashtu siç hidhen akuzat nga opozita, Rama u shpreh se nuk ka asnjë frikë dhe se ka qenë që në fillim i gatshëm të firmosë gjithçka që ekspertiza ndërkombëtare do të sillte në tavolinë.

Ndërsa përsa i përket urës së komunikimit me kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha, Rama u shpreh se “nuk ka kohë të presë derisa Basha dhe Kryemadhi të kandisen për të folur”. 

Situata për sa më takon, nuk mund të vazhdojë të marri energjitë e mia dhe tonat për këtë çështje. Ne e kemi dhënë qëndrimin e kam përsëritur pozicionin. Jemi të gatshëm të dialogojmë në çdo moment me opozitën, por nuk jemi të gatshëm të negociojmë asgjë që lidhet me vullnetin e popullit të shprehur me votë dhe nuk jam i gatshëm të harxhoj kohën time me këtë muhabet. Ka shumë gjëra më të rëndësishme dhe shumë detyra më të rëndësishme për mua sot, se sa të pres Lulzim Bashën apo Monika Kryemadhin që të kandisen për të folur, kjo është puna e tyre. Duhet të drejtojmë të gjitha bashkitë e vendit dhe këtë barrë ne duhet ta mbajmë me përgjegjësi. Fokusi im nuk është kjo, loja macja me miun, e atyre që zgjodhën një rrugë qorre e cila i çoi me keq se sa ishin. Në politikë kur merr vendime duhet të marrësh edhe përgjegjësi. Jemi përpara një situatë ku s’ke me kë flet dhe s’ke për çfarë flet. Problemet e mia janë transformimet e domosdoshme që duhet të bëjmë në bashkitë tona. Nuk jam më kryetari i PS me një numër të caktuar bashkish. Tani duhet të tregojmë që duhet të punojmë me vepra e fjalë, të tregojmë që dimë të ndryshojmë Shkodrën, Kukësin, Beratin e të tjera. Rritja e ekonomisë, përmirësimi i kushteve janë shumë më të rëndësishme se sa muhabeti e takove s’e takove. Dua të ulem të diskutojmë për të ardhmen,  2021 është shumë afër dhe nëse ata vazhdojnë kështu, 2021 e kanë paketuar përsëri me duart e tyre. Nuk e kam parë as në ëndërr, të shoh opozitën aty ku janë katandisur. Është shumë më e vështirë të qeverisësh një opozitë që këmbëngul çdo ditë të vrasë veten, se sa një opozitë që kërkon të vrasë ty politikisht. Një opozitë inegzistente është një boshllëk që të pengon punën për ta bërë maksimalisht mirë.

Për sa i përket marrjes së të gjitha pushteteve dhe frikës nga SPAK, nëse unë kam kapur SHBA dhe BE atëherë s’keni ca bëni e keni humbur këtë betejë. Janë gjëra qesharake dhe klinikisht shqetësuese. Nuk është çështje frike dhe trimërie dhe as çështje Mic Sokolash, por çështje veprash. Qysh ditën e parë kam qenë i vendosur për të bërë një reformë në drejtësi ku të miratohej çdo gjë që komisioni dhe ekspertiza ndërkombëtare do na sillte në tavolinë”, deklaroi Rama./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!