Rama nuk heq dorë, publikon prova të reja për gjobën 1.3 mln dollarë për katet pa leje te kulla “Syri i Tiranës”

schedule16:01 - 1 Tetor, 2022

schedule 16:01 - 1 Tetor, 2022

Kryeministri Edi Rama ka publikuar në Facebook dokumentin e gjobës prej 162 milionë 634 mijë e 500 lekë të reja ose 1 milionë 366 mijë e 130 USD, për metrat katrorë pa leje në qendër të
Tiranës të kullës “Syri i Tiranës”, të cilat para pak ditësh i mori shteti, për interes publik.

Rama insiston në datën e vendosjes së gjobës  ( 24 qershor) nga Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, ndërsa thotë se gjoba ka rënë në duart e një gjykatësi aq të verbuara sa që ka hedhur poshtë kallëzimin.

Lexo edhe: Ndërtimet pa leje, Rama: Janë kallëzuar 40 subjekte dhe 18 kryetarë bashkish, dosjet i ka zënë myku në Prokurori

“Pas dokumentit të kallzimit penal që patë dje, ja edhe dokumenti i gjobës prej 162 milionë 634 mijë e 500 lekë të reja ose 1 milionë 366 mijë e 130 USD, për metrat katrorë pa leje në qendër të Tiranës, të cilat para pak ditësh i mori shteti, për interes publik
Shikojeni edhe datën e vendosjes së kësaj gjobe nga Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit dhe përmes dokumentit tjetër bashkëngjitur, informohuni se kjo gjobë, ka rënë në duart e një gjykatësi aq të verbuar, sa që pa iu dridhur dora i ka dhënë kompanisë të drejtë në shkallën e parë, ndërkohë që ligji është i qartë, sasia e gjobës për metër katror shtesë pa leje përcaktohet me ligj, metrat katrorë shtesë pa leje janë aty…
Sinqerisht, ju që shani e akuzoni qorrazi këtu, mund të keni një mijë e një arsye për të mos votuar për mua apo për të menduar, se politikanët janë të tërë njësoj, por ama, të mos e shohësh vullnetin e plotë për t’i dhënë një goditje finale këtij fenomeni të shëmtuar dhe të mos e kuptosh, se këtë vullnet mund ta ketë vetëm kush as është i kapur prej parellinjve, as kapet dot me asnjë lloj shume parash, kjo është të tallesh keq me veten në rastin më të mirë ose në rastin më të keq, kjo është të jesh një i korruptuar potencial, që s’e koncepton dot në botë se paraja nuk është gjithçka”, shkruan Rama në Facebook.

Dy ditë më parë u  firmos akti i parë i dorëzimit tek shteti i 4646 metrave katrorë shtesë ndërtuar pa leje në pallatin “Syri i Tiranës”. Disa zyrtarë komisariatesh janë pezulluar një ditë më parë nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore për shkak të ndërtimeve pa leje në zonën e Farkës në Tiranë.

/abcnews.al/