Kryeministri Edi Rama bashkë me skuadrën e kandidatëve për deputetë për qarkun, ndodhen sot në një takim me qytetarët në Shkodër. Gjatë fjalës së tij, kryeministri u shpreh se për fat të keq, prej vitesh Shkodra ka mbetur e prapambetur nga qytetet e tjera “të rilindura.”
“…Ka bërë që Shkodra të jetë më e prapambetura, krahasuar me qytete të tjera që përmes Rilindjes urbane, dhe bashkëpunimit me bashkitë, kemi bërë punë të bukura. Këtu në Shkodër për fat të keq na ka mbet sharra në gozhdë. Një lloj gozhde që s’ka çekiç që i bën derman. Prej 30 vjetësh ndryshket dhe e than trurin e njeriut të kthyer në tifoz të partive. Në rastin konkret të PD. Edhe pse hendeku i prapambetjes thellohet. “
Duke folur nga Shiroka, Rama u kërkoi qytetarëve shkodranë që t’i japin mbështetje Partisë Socialiste pasi sipas tij, Shkodra ka mbetur peng “idiotësive” për 30 vite me idenë që po i reziston komunizmit “që ka vdekur dhe e mbajnë gjallë këta që bëjnë sikur e luftojnë.”
“Na jepni mbështetje, u kemi ardhur vërdallë kufijve të vendosura nga një bashki qorre. I injorancës, prapambetjes, inercisë, duke shkruar qorrazi drejt së ardhmes. Kemi ndërtuar rrugën Shkodër-Velipojë. I kemi ardhur rrotull duke ndërtuar stadiumin e ri, se nuk kishim nevojë të merrnim leje në bashki.” sb/abcnews.al/