ABC mëson nga burime detaje rreth çështjeve që ka diskutuar kryeministri Edi Rama në mbledhjen me socialistët e Vlorës. Mësohet se Rama u ka bërë të ditur të pranishmëve që ta harrojnë emërimin e drejtorëve nga deputetët.
Kryesocialisti paralajmëroi për rotacione ndërsa bëri të ditur që edhe pse zgjodhi mandatin e Durrësit, “ta harrojë çdokush se do të ketë rotacion.”
Duke u ndalur tek kryebashkiaku Dritan Leli, mësohet se kreyministri është shprehur se për të nuk ka vend pasi, sipas Ramës, ai vendosi që të mos jetë në betejën e radhës. Rama tha po ashtu se Leli duhet të kishte dhënë dorëheqjen ndërsa nxiti këshilltarët që të bëjnë detyrën por të mos e kthejnë në çështje personale.
“Durrësi ka nevojë për mua, por ta harroj çdokush që do shkëputëm nga Vlora, Vlora ka punë të pambaruara dhe pafilluara. Për Lelin, do vazhdojmë betejën. Për të nuk ka vend, ai vendosi të mos jetë te beteja e radhës, asgjë s’duhet të jetë personale mes këshilltarëve dhe tij, ky është vendim politik. Duhet që këshilltarët të bëjnë detyrën, të bëjnë kontrolle në komisione sikur të ishte një kryetar partie çfarëdo. Do të duhej të kishte dhënë dorëheqjen, nuk pranon në këtë formë, në do vijojmë betejën.”
Po ashtu, burime bëjnë të ditur se sipas asaj që deklaroi kreu i socialistëve, Dritan Leli u vlerësua kur iu kërkua që të kandidonte si deputet pasi do ta përfaqësonte Vlorën në Parlament. Nëse kryebashkiaku i Vlorës nuk jep dorëheqjen, Rama u shpreh se të gjithë duhet të punojnë që Vlora të ketë një përfaqësim dinjitoz nga këshilltarët bashkiakë.
“I kërkuam si kryebashkiakut të Dibrës, si Vlorës që të hyjnë në zgjedhje si deputetë. Leli nuk pranoi. Se tha se e ka Vlorën amanet. Leli nuk u zgjodh, u emërua sepse nuk kishte kundërshtarë. Ai po çalonte në Bashki por në parlament do të ishte mirë sepse është orator. Askush nuk fiton i pavarur në Vlorë, por vetëm ata nën siglën e trëndafilit rozë. Leli më fiku telefonin disa ditë. Nëse ai nuk jep dorëheqjen, të gjithë duhet të punojmë që Vlora te ketë përfaqësim dinjitoz nga këshilltarët bashkiakë….”
Rama paralajmëroi rotacion edhe në radhët e drejtorëve aktualë. s.b/abcnews.al/

