Kryeministri Edi Rama inspektoi ecurinë e punimeve në kantiere të reja në Rrugën e Kombit. Shumë prej tyre janë parashikuar të mbyllen brenda vitit.
Vazhdojnë të hidhen para për Rrugën e Kombit, por edhe deklarata politike se kush e nisi e kush po mbaron. Konkretisht bëhet fjalë për aksin kombëtar Kukës-Morinë ku mungonin urat dhe mbikalimet, rrugët lidhëse me fshatrat përreth, po ashtu elementet e sigurisë. Ndërtimi i urës në këtë aks nuk është konsideruar i lehtë as nga qeveria e djathtë që lidhi kontratën në vitin 2009 e as nga Autoriteti Rrugor shqiptar sot.
Por pavarësisht deklaratave se kush e bën më mirë, kjo urë do të përfundojë brenda vitit. Gjithashtu janë edhe dy kontrata të tjera. Ajo nga Morina deri te Ura 5 që ka vlerën 240 milionë lekë të reja. Brenda muajit Dhjetor do të vendosen 3 mbikalime këmbësorësh nga Kukësi deri në Morinë.
Ministri Gjiknuri bëri me dije se edhe tuneli i Kalimashit po i nënshtrohet një rikonstruksioni të thellë, pasi i gjithë sistemi, ai kundër zjarrit, i kamerave, apo edhe sistemi i ajrimit ishin në rrezik real. /abcnews.al