Rama në Mirditë, viziton info-kullën në Rubik dhe minierën e bakrit në Spaç

schedule16:40 - 4 Shkurt, 2018

schedule 16:40 - 4 Shkurt, 2018

Kryeministri Edi Rama ishte në Mirditë, ku u njoh me investimin e kryer në fabrikën e përpunimit të bakrit. Sipas shefit të qeverisë, ky sektor po njeh një zhvillim që ka munguar prej 20 vitesh. Më herët, kryeministri vizitoi dhe info-kullën për informimin e turistëve në qendër të Rubikut.

Fabrika e pasurimit të bakrit në minierën e Spaçit në Mirditë është gati të nisë procesin e pasurimit të mineralit.

Kryeministri Edi Rama u njoh me investimin e kryer nga drejtuesit e kompanisë.

“Në fund të projektit investimi total do të jetë 25 milionë dollarë,” u shpreh përfaqësuesi i kësaj kompanie.

Edi Rama: “Ne kemi një zhvillim të rëndësishëm në tërësi në këtë fushë, me investime që s’janë bërë në 20 vjet. Edhe ky investim 25 milionë euro është goxha i rëndësishëm”.

Aktualisht janë punësuar 200 punonjës dhe kompania planifikon me hapjen e galerive të reja që numri i të punësuarve të shkojë në 300.

“Së bashku me nënkontraktorët janë afro 200 persona që po punojnë, por numri mund të shkojë në 300”, tha përfaqësuesi i kompanisë.

Edi Rama: “Ne kemi hapur një shkollë profesionale për minierat këtu në Bulqizë, me sistemin që një pjesë të javës e kalojnë në shkollë, një pjesë në punë, e cila ju ndihmon dhe ju, ndihmojmë edhe zhvillimin e mëtejshëm të sektorit. Ky është një sektor që ka pasur shumë problematika nga të gjitha pikëpamjet, të sigurisë, të zhvillimit dhe punësimit. Nuk kemi arritur ta çojmë aty ku duhet, sepse ka edhe më shumë punë, por sot kemi një situatë krejt tjetër. Mesatarja e pagesave në sektorin minerar është mbi mesataren e përgjithshme”.

Ndërsa në Rubik, kryeministri vizitoi info-kullën. Një pikë referimi për çdo turist.

E ndarë në pavione pasqyron identitetin kulturor, karakteristikat gjeografike dhe ekonomike të jetës në këtë zonë.

Momente të ndryshme të historisë, një ndër to edhe burgu i Spaçit shfaqen permes instalacioneve.

“Faza e dytë e zhvillimit dhe promovimit të turizmit në këtë zonë do jenë turet. Një model do jetë një vizitë në burgun e Spaçit, pa anashkaluar dhe qytetin e Rrëshenit. Do kemi dhe model turesh hiking”.

Edi Rama: “Çdo bashki mund të gjejë karakteristikën e vet për të ndërtuar një qendër të tillë dhe pastaj të gjithë ato qendra t’i lidhim në rrjet përmes teknologjisë dixhitale, në mënyrë që të kemi një bum informacioni dixhital për turistët”.

Fokus të veçantë në këtë zonë ka edhe agroturizmi, në të cilin duhet te investohet më shumë nga sipërmarrësit, për të sjellë transformimin ekonomik dhe social./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!