KUKËS– Kryeministri i vendit, Edi Rama, vijon turin e falënderimeve për votuesit e 14 majit, të cilët votëbesuan Partinë Socialiste me një rezultat të thellë në pjesën dërrmuese të bashkive. Kryetari i Partisë Socialiste, tha se Kukësi dhe Tropoja në llogaritë e tij ka qenë listuar te zonat e diskutueshme ku mund të kishte garë, por falë vizionit, qytetarët shtoi Rama më në fund i dhanë votën alternatives së punës.
“ U jam mirënjohës, ju jeni themeli i fitores. Duhet ta kuptojmë ne të parët se çfarë është kjo që ka ndodhur dhe të mos i japim vetes një vetëkënaqësi apo edhe merita, që nuk i kemi, sepse këtu ka pasur disa faktorë, që nuk kanë pasur të bëjmë domosdoshmërisht me se çfarë kemi bërë ne, por kanë të bëjnë edhe me situatën e sotme politike. Edhe Kukësin dhe Tropojën i llogarisja të diskutueshme me zor të madh, sepse më dukej realisht e vështirë megjithëse nga marsi në prill, dhe sidomos në fund të prillit dhe në fillim të majit sondazhet filluan të ndryshojnë në mënyrë të çuditshme këtu dhe në Tropojë dhe u bë shumë e ngushtë diferenca”, tha ai.
Kryeministri falënderoi edhe drejtuesin politik të Partisë Socialiste në qarkun Kukës, Pandeli Majko, i cili sipas tij, ka dhënë një ndihmë të madhe në zgjedhjet e 14 majit.
“Një rol të veçantë në këtë qark ka pasur edhe Pandi dhe dua ta falënderoj për këtë se tani dua t’ia kujtoj. Kur unë i kam thënë në kryesi që ti Pand do shkosh në Kukës, më pa sikur po e çoja në internim. Isha i bindur se do ndodhte si kështu siç ndodhi që Pandi do krijonte sinergji dhje do krijonte energji pozitive”, tha Rama.
Gjatë qëndrimit në Kukës, Rama komentoi opozitën dhe dyshen e koalicionit “Bashkë Fitojmë” Meta-Berisha, të cilët morën një rezultat te dobët më 14 maj. Sipas Ramës, dyshja në fjalë është pjesë e një “çorbë”, që do digjet në zjarrin e fatkeqësisë së vet.
“Ajo është një çorbë, që do shkojë duke u tretuar në gjithë zjarrin e fatkeqësisë dhe marrëzisë së vet”, tha Rama.
Kryeministri u kërkoi kryebashkiakëve të lexojnë me kujdes besimin e qytetarëve të dhënë për Partinë Socialiste.
“Kjo është një sfidë shumë e madhe për ne, Tropoja, Shkodra dhe Kukësi. Na kanë thënë bujrum, na luajtët mendsh, vetëm përpara…vetëm përpara, ja ku e keni dhe çojeni përpara tani. Duhet t’i përgjigjemi kësaj sfide dhe nuk është aspak e lehtë. Në të gjitha familjet është e pamundur që të gjithë nevojat dhe dëshirat të plotësohen, sepse mundësitë janë gjithmonë më pak se nevojat”, u shpreh ai./n.m.abcnews.al