HIMARË– Trashëgimtarët e shtëpive në zonat kadastrale me probleme në Himarë, morën pas një pritjeje të gjatë, titullin e pronësisë për banesën e tyre, këtë të diel nga kryeministri Edi Rama.
“Do të më krijohet mundësia ti lë diçka fëmijëve, ku kanë lindur dhe janë rritur.
Dhënia e këtyre titujve ka qenë ndër premtimet e bëra gjatë fushatës së gushtit nga kryebashkiaku Vangjel Tavo dhe tashmë ky proces quhet i përmbyllur.
“Tani do të më kthehet djali dhe do të martohet. Është 40 vjeç dhe kërkonte këtë”, tha një prej banorëve.
Megjithatë puna me pronat nuk ndalet këtu.
“Kjo që po bëjmë sot është themeli për forcimin e ekonomisë së nesërme. Do të rrisim energjinë dhe potencialin e gjithë territorit të Bashkisë së Himarës, duke krijuar kushte për një zhvillim gjithëpërfshirës.”, theksoi Rama.
Hapi vijues do të jetë ai i dhënies së pronësisë mbi tokën në të gjithë bashkinë e Himarës, me një rritëm më të shpejtë.
“Me hipotekimin e të gjithë shtëpive të trashëguara ecim përpara me një ritëm tjetër të procesit të dhënies së titujve të pronësisë mbi tokën, do të rrisim edhe më shumë energjinë e të gjithë territorit të bashkisë e të krijojmë premisa më të forta për të pasur një zhvillim gjithëpërfshirës. Duke vijuar me dhënien e këtyre dokumenteve të shumëpritur të shtëpisë më lejoni t’ju garantoj se ashtu siç bëmë realitet së bashku me kryetarin e bashkisë përmbylljen e këtij procesi, do të bëjmë realitet përmbylljen e procesit të AMTP-ve”, tha ai.
Në planet e qeverisë janë një sërë projektesh për zhvillimin e Jugut të Shqipërisë. Për Himarën ai foli për një projekt të madh për problemin e parkimit, ndërhyrje në qendrën e qytezës, ndërsa për Borshin janë planifikuar më investime në infrastrukturë.
“Keni kapur Vangjelin e duhur, mos e lëshoni se po qe për punë një Vangjel ka kjo zonë, po qe për sherr është një Vangjel tjetër, por atë mbajeni larg”, theksoi Rama./abcnews.al