Këtë fundjave duket se kryeministri Edi Rama ka zgjedhur që të dalë në kontroll të marketeve dhe të furrave të bukës për të parë nga afër luhatjen e çmimeve të produkteve.
Rama në fjalën e tij është shprehur se në këtë situatë nuk duhet që të ketë abuzime në treg dhe se çmimet e produkteve duhet që të mos fusin në vështirësi as bizneset dhe as qytetarët.
Ndër të tjera kreu i qeverisë është shprehur se në kuadër të kësaj situate të krijuar për shkak të ngritjes së çmimeve, do të ndëshkohet çdo abuzim me çmimet përtej asaj që vendos Bordi i Administrimit.
“Kjo është një fazë vështirësie për të gjithë, pavarësisht se këtu tendenca është që t’i hidhet faji furnizuesve, prodhuesve e tregtarëve. Jemi pak në atë frymën antikapitaliste në këto momente. Por duhen mirëkuptuar njerëzit që kanë këtë stres. Por ajo që ne duhet të bëjmë është të mos lejojmë abuzimet sa të mundemi. Çmimet duhet të jenë të tilla që edhe ju të mos futeni në vështirësi, por të nxirrni një minimum fitimi që ju duhet për të vazhduar në këtë periudhë. Jo për të shfrytëzuar rastin për të nxjerrë më shumë fitime se sa në kohë normale.
Duhet të jeni shumë solidarë që të mos përfitoni në kurriz të njerëzve që këto i kanë bazë. Ju jeni biznes i vogël, nuk keni taksa dhe as TVSH. Nuk duam të ngarkoheni me taksa. Nuk mund t’ju rrisim taksat në këtë fazë, është diçka që nuk mund ta bëjmë. Tani ju takon edhe juve që të jeni maksimalisht të vëmendshëm që njerëzit të marrin atë që ju takon. Ju jeni model këtu” ka thënë Rama./abcnews.al