Pas 2 ditë ndërprerje kryeministri Rama iu rikthye fushatës elektorale për vendoret e 30 qershorit. 28 vjetori I PS e gjeti në Divjakë e Lushnje, por fokusi është tek presidenti i Republikës, të cilin mazhoranca ka shpallur synimin për ta shkarkuar për shkak se çdekretoi datën e zgjedhjeve të 30 Qershorit.
“Është tentativa për të çuar deri në fund një plan që ka nisur me ikjen nga Parlamenti, ka vazhduar me djegien e mandateve, është thelluar me dhunën dhe me molotovët dhe me kapsollat, për të krijuar klimën e një Shqipërie në konflikt, e një Shqipërie që rrezikon të destabilizohet dhe për t’i dhënë zotit President mundësinë që të dalë si shpëtimtar i kombit, por jo për të shpëtuar kombin, jo për të shpëtuar popullin, por për të shpëtuar veten dhe një grusht të vogël njerëzisht nga thellimi i mëtejshëm dhe zbatimi i Reformës në Drejtësi”, tha Rama.
Rama nuk i beson argumentimit të kreut të shtetit se ka informacione zyrtare për përplasje në 30 Qershor.
“Kam informacion – thotë Iliri – nga agjencitë serioze ligj zbatuese. Do me thënë nga filxhani i Monikës, ka ardhur informacioni që në fund të filxhanit. Tani, se pse i duhet këtyre të katërve sistemi i komiteteve të shpëtimit që po ndërtojmë dhe i asaj aleancës për të mbrojtur demokracinë, unë e di, ne e dimë dhe do ta sqarojmë në vazhdimësi. Nuk i duhet për të mbrojtur demokracinë, i duhet për të mbrojtur veten nga drejtësia, duke krijuar këtu kaos”.
Socialistët kanë ndarë edhe detyrat për 30 Qershorin. Për Kryeministrin 30 Qershori do jetë një leksion për ata që duan kaos, e veçoi disa herë paraardhësin e tij Berisha
“Që në 30 qershor ai plaku do ta mësojë një herë e përgjithmonë që çfarë është mësuar të bëjë në të shkuarën me socialistët është kohë e shkuar për t’u harruar. As kjo nuk diskutohet, por më e rëndësishmja nga të gjitha këto është se pas 30 qershorit do të jemi në një Shqipëri tjetër, në një Shqipëri, ku përfundimisht ose politikanët do t’i nënshtrohen ligjit dhe rregullave, njësoj si të gjithë qytetarët ose për ta nuk do ketë më vend, pasi askush nuk do të vejë më nga mbrapa dhe molotovët e mbetur mund t’i përdorin për të hedhur në erë veten e tyre. Kërkojnë të mbjellin frikë. Mbajeni mend, nga frika e tyre do treten. Kur bërtasin, nuk e bëjnë se janë trima, por i bërtasin frikës së tyre se e kanë frikën brenda sa, jo lepuri, por sa ato dhelprat e Divjakës, të cilëve ne ju kthyem dhe lirinë se këta kur ishin në qeveri, i vrisnin pa mëshirë. Ne, nga ana jonë, kemi të drejtën me vete. E drejta do të na shpërblejë sepse kemi bërë gabime, jo gjithmonë kemi qenë në lartësinë e pritshmërive dhe të besimit tuaj, por ama asnjëherë nuk kemi bërë gabime të qëllimshme dhe kurrën e kurrës, as ju kemi tradhtuar dhe as do t’ju tradhtojmë, duke përdorur pushtetin në kurrizin tuaj dhe në dëm të fëmijëve të këtij vendi, të cilëve duam t’u lëmë një Divjakë dhe një Shqipëri të denjë”, tha ai.
Kryeministri përsëriti kujtesën se kush prish zgjedhjet nuk do lejohet të hyjë në SHBA familjarisht./ABC News Albania 24/7