Kryeministri i vendit, Edi Rama deklaroi se për rreth gjysmë shekulli në Shqipëri nuk ka ekzistuar prona private dhe se qytetarët nuk kishin të drejtë as për tokë, madje as për automjete private.
Sipas tij, pas rënies së regjimit, prona u bë një nga çështjet kryesore të tranzicionit.
Duke folur në Forumin Ekonomik të Delfit në Athinë, Rama shpjegoi se ligjet e para për tokën u miratuan me konsensus politik, duke dhënë fillimisht vetëm “të drejtë përdorimi” për ata që punonin tokën, ndërsa paralelisht duhej të trajtoheshin edhe ish-pronarët. Kjo, sipas tij, krijoi mbivendosje dhe problematika të shumta me kalimin e viteve.
Rama u shpreh se problemi i pronave nuk dallon mes qytetarëve shqiptarë dhe atyre të pakicës greke në jug të vendit, duke e cilësuar atë si një çështje të përbashkët që po trajtohet në mënyrë të njëjtë.
Ai gjithashtu vlerësoi bashkëpunimin me palën greke dhe përmendi kryeministrin Kyriakos Mitsotakis, duke thënë se angazhimi i tij për këtë çështje ka qenë pozitiv dhe i mirëpritur.
“Për gjysmë shekulli nuk patëm tokë private. Nuk lejohej të kishim asnjë metër tokë në pronësinë tonë, madje as dhe një automjet privat. Pas 50 vitesh, më në fund e ndryshuam atë regjim dhe prona ishte çështja kryesore. Asokohe u miratua një ligj, me konsensusin si të opozitës, ashtu edhe të partisë që vinte nga e shkuara, për t’u dhënë letër përdorimi, titull përdorimi, jo titull pronësie, të gjithë atyre që punonin tokën, ndërkohë që duhej të trajtoheshin edhe ish-pronarët.
Në atë kohë u krijua një mbivendosje dhe, përgjatë viteve, njerëzit që kishin titull përdorimi të tokës u bënë pronarë, ndërsa pronarët u bënë ish-pronarë. U krijua edhe një shtresë e tretë, që ishin shumë njerëz që vinin nga zonat rurale dhe ndërtuan në mënyrë të paligjshme kudo që mundën, në tokë bujqësore. Nuk kishte rrugë tjetër përveçse t’i legalizonim.
Prej dhjetë vitesh po merremi me këtë, duke pastruar sa më shumë të mundemi dhe duke e digjitalizuar procesin. Për ta përmbledhur shkurt: askush nuk mund të provojë të kundërtën e asaj që po ju them, që problemi me pronat, edhe në zonat ku ka qytetarë etnikë grekë, nuk është aspak ndryshe nga problemet që kanë qytetarët shqiptarë në të njëjtën zonë dhe kudo tjetër. Është thjesht një problem shqiptar për shqiptarët dhe për qytetarët etnikë grekë, të cilin po e trajtojmë. Për shkak se kemi një nivel të rëndësishëm të kujdesit dhe respektit për pakicën greke, ne u kemi kushtuar vëmendje të posaçme atyre. Dua të përgëzoj Mitsotakis, i cili ka qenë këmbëngulës për këtë, dhe unë e kam konsideruar një gjë të mirë.”, tha kryeministri Rama.


