Rama ndryshon më shumë se gjysmën e kabinetit qeverisës

schedule13:08 - 28 Dhjetor, 2018

schedule 13:08 - 28 Dhjetor, 2018

“Çdo gjë hap pas hapi”, u shpreh kryeministri Rama në një deklaratë para disa ditësh.

E hodhi hapin e madh. Në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste përcolli më shumë se gjysmën e ministrave të kabinetit që drejton.

“Të gjithë ata që kanë 5 vjet në kabinet do t’ja lënë vëndin të tjerëve”, theksoi kryeministri.

Me falenderime për gjithçka që vetëm ata ditën të bëjnë gjatë këtyre 5 viteve kryeministri njoftoi zëvendësimet e 7 ministrave: Lindita Nikolla zëvendësohet nga Besa Shahini në Ministrinë e Arsimit. Arben Ahmetaj zëvendësohet nga Anila Denaj në Ministrinë e Financave. Ditmir Bushati do të zëvendësohet nga Genti Cakaj në Ministrinë e Jashtme. Damian Gjiknuri do të zëvendësohet nga Belinda Balluku në Ministrinë e Infrastrukturës. Niko Peleshi do të zëvendësohet nga Blendi Çuçi në Ministrinë e Bujqësisë. Mirela Kumbaro do të zëvendësohet nga Elva Margariti në Ministrinë e Kulturës. Sonila Qato do të zëvendësohet nga Eduard Shalsi në Ministrinë e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes. Kryeministri Rama njoftoi edhe rikthimin e ministrisë për marrëdhëniet me Parlamentin në krye të së cilës do të jetë Elisa Spiropali. Heshtjen në sallën e mbledhjes së asamblesë e theu zëvendësimi i numrit dy të qeverisë.

“Kam dhe një që e konsideroj kyç, Erion Braçe do të jetë zëvëndëskryeministri i ri”, u shpreh kryeministri.

Kriteri kryesor i përzgjedhjes është mungesa e eksperiencës.

“Sot eksperienca po na pengon sepse ka filluar të bëhet alibi”, theksoi Rama.

Shtysën e vërtetë për këto ndryshime kryeministri Edi Rama tha se ia dhanë studentët protestues.

“Ata na dhanë një shuplakë e cila mua më përvëlon njësoj si ditën e parë dhe unë zgjodha t’ju kthej atyre faqen tjetër”, nënvizoi ai.

Ndryshe nga Jezu Krishti kreu i qeverisë nuk do të jetë tolerant ndaj kujtdo brenda partisë që përzgjedh kushërinjtë duke rrezikuar daljen në opozitë.

“Kështu që harrojeni përfundimisht që do të këtë më miq, shokë, krushq, vëllezër, motra, xhaxhallarë, kunata, teze që do të futen në administratën shtetërore. Harrojeni! Partia Socialiste nuk mund të kthehet në opozitë për shkak të krushqve, tezeve, motrave, xhaxhallarëve, grave, kunatave e të gjitha me radhë harrojeni ose bëni një gjest të thjeshte ikni nga Partia Socialiste dhe pastaj do të meremi t’ju rregullojmë në punë gjithë farefisin”, u shpreh kryeministri.

Vendin e tyre dhe krushqve të tyre do ta zënë studentët që mbarojnë me mesatare 9 dhe 10 u tha kryetari i partisë, i cili nuk i kurseu kritikat as ndaj kreut të forumit rinor eurosocialist

 “Kur filloi protesta e studentëve në rrugë, mora Elion. I thashë, Elio, çfarë bën, ku i ke ata të FRESSH-it? Aty tha, tek Ministria shumë mirë, edhe FRESH-i në protestë tek Ministria, fëmijët tanë”, nënvizoi kryeministri.

FRESSH nuk do të ketë më ekskluzivitetin e organizimit të të rinjve, madje as forumi i grave tha kryeministri Rama.

“Le të organizohen të gjithë si të duan. Pse duhet të kemi forumin e grave komuniste, për çfarë arsye? Vetëm zihen me njëra-tjetrën kur ka zgjedhje dhe bashkohen për 8 mars, sepse bëjnë sikur shkojnë shumë mirë me njëra- tjetrën dhe këtu mbaron. Për çfarë na duhet ne, forumi i grave komuniste”, u shpreh kryeministri Rama. Ajo çka kërkon është një parti për njerëzit.

“Ne na duhet një parti e rrugës, një parti e lagjes, një parti e periferive, na duhet një parti e njerëzve”, tha kryeministri Rama.

Gabimet e përsëritura duhet të marrin fund paralajmëroi ai anëtarët e asamblesë, të cilët do të kalojnë në filtër në kongresin që do të zhvillohet në mars.

“Kemi kaq vite që bëjmë një teatër që duhet të mbarojë. Ne do të bëjmë Kongresin në Mars dhe çdo anëtar i kësaj Asambleje do të duhet të tregojë në bazë të detyrave, atë që ka bërë, përndryshe nuk do të jetë më në Asamble”, u shpreh kryeministri Rama.

Peshën e fajit për këtë situatë që po përjeton Partia Socialiste dhe qeveria nuk e kanë socialistët.

“Vakumi që kemi përballë, aty ku duhet të kishim opozitën, është kërcënimi më i madh për objektivat tanë. Boshllëku që kemi përballë është rreziku më i madh për realizimin e qëllimeve tona”,deklaroi kryeministri Rama në Asamblenë e Partisë Socialiste.

Prandaj i kërkon të ndryshojë gjithcka, nga plotësimi i disa formularëve e deri në angazhimin përballë qytetarëve. Testimi zgjat deri në Mars të vitit të ardhshëm kur Partia Socialiste do të zhvillojë mbledhjen e Kongresit.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!