Rama: Merkato në mbrojtje, ja pse u largua Telushi. Titulli? Gabojmë nëse fiksohemi

schedule18:38 - 13 Gusht, 2020

schedule 18:38 - 13 Gusht, 2020

Olsi Rama ka prekur disa tema në konferencën për shtyp, por më shumë është ndalur te merkato, largimi i Bruno Telushit dhe objektivi. Drejtori i Përgjithshëm i Partizanit, tregon se ku do të ndërhyjë klubi në merkato, sqaron ndarjen me mesfushorin vlonjat, i cili firmosi me Kukësin, dhe insiston se pse Partizani nuk duhet të ketë titullin objektiv primar për sezonin e ardhshëm.

MERKATO – “Një qendërmbrojtës dhe një mesfushor cilësor janë detyrat kryesore të merkatos këtë vit, por edhe dy mbrojtës krahu, të cilët duhet të vijnë në ekip, të integrohen dhe të japin kontributin e tyre”.

TELUSHI – “Pata një bisedë shumë të çiltër dhe të hapur me atë. I uroj sukses dhe përfitoj nga rasti ta falënderoj për çfarë ka bërë te Partizani, sidomos gjatë vitit që dolëm kampion. E kam admiruar gjithmonë për shpirtin e garës, është një person që e ka këtë pjesë të karakterit. Unë gjithmonë kam ngulur këmbë dhe kam thënë se ndeshja nuk fitohet ditën kur luhet, por gjatë gjithë javës.

 

Bruno Telushi

Në përgjithësi, nga një pjesë e grupit vjet kemi pritur pak më tepër në aspektin e mbështetjes morale dhe psikologjike. Nuk është se fajësoj Telushin për këtë, por më tepër në aspektin e ndërrimit të faqes për të ndërruar edhe mënyrën e lojës dhe për të pasur një Partizan pak më të kristaltë në lojën e vet”.

LARGIMI – “Telushi nuk parashikohej të kishte një rol qendror projektin e ri. Për respektin që kam për të, bëra një bisedë shumë të hapur dhe vendosëm që rrugët të ndaheshin. Ai nuk e shikonte veten në rolin e një personi që vinte nga pankina”.

OBJEKTIVI – “E përsëris, titulli kampion është kurorëzimi i një sezoni ku ekipi duhet të tregojë paraqitje dinjitoze dhe lojë. Nëse ne e fillojmë sezonin duke kërkuar titullin, gabojmë pasi e shtrijmë këmbën më shumë sesa kemi hapin. Objektivi kemi rritjen e nivelit të ekipit dhe gjetjen e një fizionomie të Partizanit, me një lojë të menduar dhe studiuar që t’u përshtatet sa më mirë lojtarëve që do të marrim”. /abcnews.al