Tërmeti i fuqishëm që goditi vendin ditën e djeshme ka shkaktuar pasoja të rënda dhe një numër të lartë viktimave e të plagosurve.
Kryeministri Edi Rama ka mbledhur qeverinë një ditë pas tërmetit.
Rama ka theksuar se do të bëhet gjithçka për të lënduarit dhe se qeveria do të miratojë vendimin për shpalljen ditë zie kombëtare.
Do të bëjmë maksimumin që te gjithë kontributet dhe ndihmat me transparencë të plotë të lehtësojnë situatën e vështirë.
“24 të vdekur, 657 të lënduar, deri tani 45 jetë të shpëtuar. Tërmeti sfidues për shoqërinë tonë, për shtetin tonë, qeverinë tonë dhe në tërësi për kombin tonë. Pa asnjë ekzagjerim më duhet të nënvizoj qysh në fillim reagimin e menjëhershëm dhe domethënës të të gjithë këshillit të ministrave dhe po ashtu të trupave të emergjencave civile, të policisë së Shtetit, të forcave të Armatosura dhe Urgjencës Kombëtare. Ka qenë një ndër momentet më të errëta të jetës sonë. Mund të thuhet me plot gojën se nga të gjithë njerëzit nën uniformë të shtetit shqiptar është bërë një punë heroike. Dua të shpreh mirënjohjen dhe respektin dhe falënderimin të gjithë trupave të angazhuara në vijën e parë të frontit të kësaj përballjeje me një fatkeqësi të përmasave të jashtëzakonshme që nga ata të cilët rrezikuan jetën e tyre duke shpëtuar jetë të mbetura pezull në fije të perit deri tek ata që pritën dhe trajtuan gjithë infrastrukturën e ngritur të shërbimit shëndetësor me qindra të plagosur”, tha Rama.
Sot qeveria do të miratojë vendimin për ditën e zisë kombëtare. Këtu dua të shpjegoj se kjo ditë duke qenë se pararend dy ditëve të festave kombëtare e ka bërë të pamundur që të ishte më shumë sesa një ditë zie, sepse do të kishim dashur të ishte 3 ditë zie. Na ka pamundësuar që të imagjinojmë flamurin shqiptar në gjysmë shtizë në 28 dhe 29 nëntorit ashtu sikundër është një normë e afirmuar se asnjëherë në ditët kombëtare të vendeve nuk mund të ketë zi. Sepse janë ditë që kanë brenda një kujtim të jetëve të dhëna për atdheun.
Kemi marrë pak kohë për të reflektuar sepse gjendja e jashtëzakonshme ka disa hapësira dhe detyrimi për ata që do ta qeverisin gjendjen e jashtëzakonshme, tha Rama.
“Ne e dimë shumë mirë që kjo është një çështje e rëndë, këto familje kanë nevojë për shumë më tepër. Nuk mund të pranojmë që të moshuar, fëmijë gra të kalojnë dimrin në tenda apo t’ua lëmë si barrë familjeve të tjera, ky është detyrimi ynë. Dua ta theksoj qartë se nuk do të toleroj asnjë familje që do të kërkojë të qëndrojë në një strukturë të rrezikshme. Numri i familje që kanë nevojë për strehë nuk është i vogël, kjo do të kërkojë një mbilizim ekstrem dhe ne do të jemi të gatshmëm për të bërë gjithçka për të mbijetuarit”, tha Rama.
Duhet të shpreh mirënjohje të pakufishme për reagimet vërtetë thellësisht ngushëlluese të ambasadave të SHBA dhe BE, që qysh në çastet e para janë vënë në lëvizje për të na shprehur gatishmërinë e tyre për mbështetje ndaj popullit shqiptar. Mirënjohje për presidentin e Kosovës, kryeministrin e Italisë, i cili ndër miqtë dhe partnerët e pazëvendësueshëm të këtij vendi, pasi ka qenë ai që ka çelur serinë e komunikimeve të drejtpërdrejta, duke u ekspozuar plotësisht për tu ardhur në ndihmë njerëzve dhe qeverisë tonë për të përballur këtë situatë shumë sfiduese, tha nder të tjera Rama.
/abcnews.al