Me drejtues të majtë edhe të djathtë të Bashkive në vend, Kryeministri Rama ka bërë këtë të martë një bilanc të punëve të strukturave vendore.
Një ditë pas akteve vandale, asnjë koment për kaosin, dhunën dhe shkatërimin e opozitës nga shefi i qeverisë.
“Boll kemi parti të ndara në dysh në tresh, në katërsh, këtë “partinë e punës” e duam njësh, socialistë, demokratë, këtu jemi për punë.”
Me fokus përballimin e emergjencave lokale por edhe civile, Rama kërkoi ndërtimin e një plani të posaçëm nga strukturat vendore. U kërkua po ashtu edhe trajnimi i forcave të posaçme që janë në dispozicion për secilën nga bashkitë.
“Duhen bërë stërvitje për këtë punë. Nuk mundet dot ne të mbajmë Shqipërinë pa zjarre se është e pamundur, por ama nga ana tjetër, ne duhet të luftojmë për çdo metër katror, për çdo rrënjë peme, për çdo rrënjë ulli që mund të shpëtohet dhe çfarë nuk është e shpëtueshme, nuk është e shpëtueshme, por ama çfarë është e shpëtueshme dhe nuk shpëton për shkak të dobësive të punës dhe të koordinimit është praktikisht një dështim që ne nuk kemi si ta justifikojmë”
Por, me tone kritike, shefi i qeverisë u ndal tek projektet për shërbimet sociale në Bashki, për të cilën strukturat duhet të dorëzojnë projekte që i shërbejnë komunitetit.
“Kemi bërë një ndryshim rrënjësor në qasjen ndaj shërbimeve sociale në bashki dhe kemi vendosur në dispozicion fonde nga qeveria dhe ka bashki këtu që nuk kanë marrë një kokërr leku dhe nuk kanë ngritur akoma shërbimet që mund të kishin ngritur me paratë që janë në dispozicion, se nuk kanë bërë një projekt dhe nuk kanë çarë kokën, kjo pastaj është ne kufijtë e skandalozes.”
Thirrje në këtë mbledhje u bë edhe për proçesin e legalizimit në të gjitha bashkitë e vendit. Kreu i qeverisë apelon që për qytetarët mos të kenë vonesa pa arsye nga ana e institucioneve.
“Ca presim ne që ta përshpejtojmë këtë proces. S’dua të bej pasqyrë shifrash se dhe këtu është e njëjta gjë. S’dua të përmend emra. Një nga kryetarët më të zëshëm të bashkive që thoshte duhet ta marrë bashkia pjesën e përgjegjësisë, ka një nga nivelet më të ulëta ta rezultatit. Ndërkohë, bashkia më e suksesshme pa diskutim me tërmetin, Shijaku, është model për procesin e legalizimit.”
Në takim, diskutime u ngritën edhe nga kryetarët e Bashkive demokratë, të cilët duket se nuk ishin pjesë e mos bindjes civile të thirrur nga Sali Berisha.