Kryeministri Edi Rama është duke mbajtur nga Rinasi një konferencë të përbashkët me Komisionerin për Zgjerim Oliver Varhelyi. Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë tha se komisioneri Varhelyi ka qenë në këtë kohë pandemie, zëri i arsyes në KE që Ballkani Perëndimor të mos mbetej jashtë skemës së shpërndarjes së vaksinave.
Rama solli gjithashtu në vëmendje se falë komisionerit për Zgjerim, KE u kthye në një motor solidariteti për planet e rimëkëmbjes dhe për vaksinimin e vendeve Evropiane.
“Sapo Përfunduam një takim miqësor. Edhe një herë komisioneri ka provuar përkushtimin dhe mbështetjen për vendin tonë por edhe për rajonin duke qenë zëri i arsyes në KE për të mos e lënë jashtë Ballkanin Perëndimor nga skema e shpërndarjes së vaksinave. Ka arritur ta materializojë një punë të tijën disa mujore dhe me mbështetjen e presidentes Ursula von der Leyen duke përcaktuar 651,000 doza të vaksinës Pfizer të shpërndara për vendet e rajonit. Dua t’i shpreh mirënjohjen dhe dua ta falënderoj edhe publikisht për këtë kontribut të jashtëzakonshëm në këtë kohë të jashtëzakonshme dhe nga ana tjetër dua të nënvizoj faktin se falë komisionerit në radhë të parë, KE u rikthye si motor i solidaritetit, jo vetëm për planet e rimëkëmbjes por edhe për vaksinimin e vendeve evropiane përfshirë në këtë rast edhe 6 vendet e rajonit tonë.
Kryeministri deklaroi po ashtu se Komisioni Evropian ka miratuar edhe disa paketa të tjera ndihmëse për rimëkëmbje dhe për vaksinim. Shuma totale, sipas tij, shkon në 2.2 miliardë euro.
“Me vjen natyrshëm të kujtoj këtu se KE ka mundësuar njëkohësisht kualifikimin e vendeve të rajonit, Shqipërinë, për fondet për përballimin e pasojave të fatkeqësive natyrore, 1 milionë euro që i takojnë Shqipërisë. KE ka miratuar edhe propozimin e paketës së makrofinancimit në mbështetje të Ballkanit duke disbursuar një lot të parë prej 90 milionë eurosh.
Shuma totale prej BE 2.2 miliardë euro do të konsiderohet edhe për lëvrimin e vaksinave për rajonin. Tanimë kanë mbërritur në Shqipëri dozat e para dhe deri në gusht Shqipëria do të marrë të gjithë pjesën e saj të akorduar të vaksinave. Me komisionerin diskutuam edhe për vazhdimësinë e planit të madh të investimeve për Ballkanin Perëndimor. Ku vendi bën pjesë si aktor. Jemi optimistë që shumë gjëra janë vënë në vijë dhe projektet e mëdha do të fillojnë të lëvizin në drejtimin e duhur me financimet e para.” sb/abcnews.al/