Në Korçë kreu i ekzekutivit inspektoi edhe punimet për rikonstruksionin e rrugës Maliq-Libonik.
Kjo rrugë nga Maliqi në fshatin Libonik ka qenë një tmerr i vërtetë për ata që kalonin aty, por tanimë gjithçka po ndryshon. Këtë e vuri në dukje edhe kryeministri Rama teksa këqyri punimet që po kryhen.
Kryebashkiaku i Maliqit Gëzim Topçiu u shpreh se kjo rrugë ishte kthyer në ferr për të gjithë drejtuesit e automjeteve. Ndërsa pas rregullimit që po i bëhet ajo do të jetë një rrugë me të gjitha standardet, do të ketë vende të caktuar për autobusë dhe korsi biçikletash, trotuare, ndriçim LED në të gjithë gjatësinë e saj. Kryeministri Rama pyeti edhe për cilësinë e punimeve.
Rikonstruksioni i rrugës me gjatësi 2.3 kilometër është drejt përfundimit dhe pritet të lehtësojë lëvizjen e mjeteve dhe daljen e fermerëve në tregje. Gjithashtu kjo rrugë sipas kryebashkiakut Topçiu, do ta kthejë fshatin Libonik në një lagje të Maliqit, dhe me disa ndërhyrje, do të lidhet edhe me Pyllin e fazanëve me anë të korsive të biçikletave.
Sipas Gëzim Topçiut, rikualifikimit do t’i nënshtrohet edhe zona përreth, me rikonstruksionin e plotë të rrjetit inxhinierik nëntokësor, si dhe rehabilitimin e fasadave të 13 pallateve./ABC News Albania 24/7