Kryeministri Edi Rama ditën e djelë ka inspektuar nisjen e punimeve në portin e Vlorës si dhe ka parë nga afër investimin e Ministrisë së Infrastrukturës për ndërmarrjen e ujësjellës kanalizimeve, ku flota e re e makinerive do të mundësojë garantimin e mirëfunksionimit të kanalizimeve në qytetin e Vlorës.
Projektin për rindërtimin e Portit të Vlorës ku punimet kanë nisur, të llogaritur edhe në buxhetin e 2019-s si deklaroi një ditë më parë, i pari i qeverisë, Edi Rama e inspektoi nga afër. Investimi 15 milionë eurosh parashikon ankorim dhe përpunim të trageteve, zgjerim terminali për pasagjerët, zgjerim të struklturës së portit dhe shtim të mjediseve dhe përmirësim të kalatave ekzistuese.
“E gjithë sfida tani është të bëjmë planin rregullues të të gjithë zonës që të kthehet në një pjesë të qytetit e gjitha kjo. S’mund të jetë Porti i izoluar nga qyteti. Pastaj të vazhdojmë me fazën tjetër të Lungomares, në krahun tjetër. Por këtu duhet të kemi një plan shumë shpejt që të na lidhet Lungomare me Bulevardin. Kjo është pikë fokale tani”.
Investim i një rëndësie thelbësore për qytetin bregdetar është edhe ai i kanalizimit të ujërave të zeza, që sipas qeverisë do të mbulojë me shërbim Vlorën, Novoselën, orikumin dhe Shushicën. Në inspektim kryeministri Rama u shoqërua nga kreu i bashkisë Vlorë Dritan Leli dhe ministri i infrastrukturës Damian Gjiknuri.
“Financimi është vënë në buxhetin e vitit të ardhshëm. Menjëherë me fillimin e vitit do të hapet gara dhe pastaj do të fillojë puna për të stabilizuar gjithë ujërat e zeza, të gjithë zonës në krah të Lungomares, në mënyrë që uji i detit të ndahet përfundimisht nga ujërat e miletit dhe me atë ndarje të kemi popullim të plazhit dhe rritje të mëtejshme të ekonomisë së Vlorës nga turizmi”.
Vetëm pajisjet për mirëmbajtjen e investimeve të bëra kushtojnë rreth 1.5 milionë euro, garanci e financuar nga ministria e infrastrukturës dhe energjisë, si theksoi Leli, e që mundëson ruajtjen e investimeve të bëra përmes sistemeve elektronike që kontrollojnë në largësi të gjitha kanalizimet e ujërave të zeza./abcnews.al