Nuk ka ndarje Veri-Jug për kryeministrin Edi Rama. Këtë ai e deklaroi në turin llogaridhënës në Lezhë ku i dha përgjigje zërave që thonë se investon më shumë në jug. Pjesa më e madhe e programit 1 miliard për rindërtim është nga Tirana e lart tha kreu i qeverisë.
Do të fillojë në Maj puna e nuk do të ndalet deri sa Rruga e Arbrit të jetë e përfunduar. Garancinë e dha vetë kryeministri Edi Rama.
“Do të fillojë dhe nuk do të ndalet puna deri në përfund të aksit që do ta bëjë Dibrën faktikisht zonë të integruar me kryeqytetin duke krijuar një akses me shpejtësi të lartë dhe që do të çelë potencial të madh dhe për zhvillimin e agroturizmit në gjithë atë krah që lidh Tiranën me Dibrën, ku ka bukuri përrallore”
Gjatë turit llogaridhënës në qarkun e Lezhës kreu i qeverisë tregoi ndryshimin që ka pësuar fokusi i qeverisë duke u përqendruar në ndërtimin e rrugëve . Në qarkun e Lezhës Janë 31 investime në punë e sipër. Një ndërhyrje e vogël por e rëndësishme është aksi prej 3 km në plazhin e Shëngjinit. Tani është vetëm çështje vendimmarrje tha kryeministri Rama.
“Sepse së shpejti mbyllet edhe gara, por do vendosim nëse do fillojmë punën menjëherë apo do e lëmë pas sezonit për të mos krijuar kaos.
Po kështu dy projekte të tjera të rëndësishme për nga impakti ekonomik dhe social, projekti i autostradës Milot-Balldren me tunelin që do i japë fund një historie të pabesueshme ku rruga nacionale kalon në një kthesë qorre, ku duket sikur të gjitha makinat futen aty për atë shprehjen ‘mbaje shofer 1 minutë’ se kam punë dhe rruga Shëngjin-Velipojë. Ky projekt është një aks prioritar, potencial i jashtëzakonshëm për zhvillimin e turizmit. Krijon një lidhje të shpejtë mes këtyre dy pikave”.
Duke folur me gjuhën e afateve kryeministri tha se Rruga Milot-Balldren do të fillojë në fund të gushtit ose në fillim të shtatorit. Aksi strategjik Thumanë-Kashar do të bëjë të mundur që i gjithë komunikimi mes Lezhës, Shkodrës, Kukësit, Kosovës të jetë me standarde të tjera që do të thotë cilësi nga jugi në veri saktësoi kreu i qeverisë.
“Për të gjithë ata që bëjnë teorinë e tmerrshme të ndarjes me Veriun e Jugun dhe që përpiqen në mënyrë të vazhdueshme dhe shumë hileqare të na lënë ne atë faturën e një imazhi sikur jemi më pak të interesuar për Veriun ju them se pjesa më e madhe e programit 1 miliard për rindërtim është nga Tirana e lart”.
Zona nuk ka nevojë vetëm për infrastrukturë, por edhe për një mbështetje të rëndësishme në zhvillimin rural. Prandaj për këtë vit qeveria ka miratuar fondin më të madh sipas kryeministrit të mbështetjes së fermerëve. Në mbështetje të zhvillimit të agroturizmit kreu qeverisë premtoi uljen e TVSH-së për hotelet me 4 dhe 5 yje. Turistët nuk do kursehen për të vizituar Lezhën edhe pas ndërhyrjeve që do të bëhen në Memorialin e Skënderbeut.
“Me ndërhyrjen për ripërtëritjen e plotë të memorialit të Skënderbeut do të plotësojmë një boshllëk, që është i papranueshëm dhe do t’i japim një tjetër atencion të rëndësishëm turistik qytetit, ku këtë vit pritet numri më i madh i turistëve në gjithë Shqipërinë. Janë 10 linja të reja fluturimesh që deri vjet nuk ishin të reja për Shqipërinë, pikërisht se ka një numër t madh turistësh. Kjo do të sjellë më shumë punësim, ekonomi dhe kontribut në forcimin e ekonomisë”. /abcnews.al