Kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur se në Tiranë po punohet për ngritjen e një Muzeu të Artit Islam, një projekt që synon të plotësojë mungesën e një institucioni të tillë kulturor në Shqipëri.
Gjatë fjalës së tij në promovimin e librit “Në Sofrën e Hënës”, Rama tha se iniciativa ka lindur nga një grup që merret me koleksionimin e artefakteve të fesë islame dhe po zhvillohet si një projekt i përbashkët me institucionet shqiptare. Sipas tij, muzeu pritet të ndërtohet në zonën e ish-sarajeve të familjes Toptani pranë Kalasë së Tiranës dhe afër godinës së Pralamentit.
Kryeministri theksoi gjithashtu se pranë këtij projekti pritet të ngrihet edhe muzeu “Besa”, i cili do të pasqyrojë trashëgiminë hebraike në Shqipëri dhe do të sjellë në vend elemente të kulturës bashkëkohore hebraike.
“Janë një grup që bëjnë punë për të koleksionuar artefakte të fesë islame dhe bashkërisht kemi një projekt të bukur, është ideja e tyre, por projekti është i përbashkët. Është ideja për të ndritur Muzeun e Artit Islam, ne nuk e kemi këtë fatkeqësish. Të gjitha vendet që kanë në organizmin e tyre fenë islame, e kanë një muze të tillë.
Ne jemi duke punuar për projektin. Do të ngrihet te ish- sarajet e Toptanëve, pranë me Kalasë së Tiranës, ngjitur me Parlamentin. Ngjitur me atë oazë do të jetë i ngritur edhe muzeu “Besa” që do të sjellë jehonën tonë hebraike dhe që do të sjellë te ne kulturën bashkëkohore hebraike”, tha Rama.


