Situata në PD, Rama: Telenovelë e turpshme, valle mes të marrësh në buzën e humnerës

schedule21:55 - 17 Dhjetor, 2021

schedule 21:55 - 17 Dhjetor, 2021

Kryeministri Edi Rama e cilësoi tragji-komike situatën e krijuar në Partinë Demokratike. Rama u shpreh në Klan se Berisha dhe Basha janë dy personazhë qesharakë. Rama deklaroi se situata në kampin demokrat kjo është “telenovelë e shpifur, e turpshme dhe shumë e shëmtuar”.

“Janë dy personazhë shumë qesharakë. T’i thuash sot shqiptarëve një marrëzi të tillë dhe të gjesh shqiptarë që shkojnë pas kësaj marrëzie është për të qeshur. Janë dy personazhe qesharakë. Nuk kam as me njërin dhe as me tjetrin asnjë problem. Nuk i shoh të rrezikshëm por i shoh shumë qesharakë. PD është aset pavarësisht se unë jam kundërshtar me këtë parti për shkak të kësaj marrëzie që sot është shfaqur në mënyrën më groteske.

Nuk është përgjegjësia e një turme njerëzish që janë ndjekës luajalë të dikujt por e atij që merr përsipër t’i udhëheqë. Popujt kanë nevojë për udhëheqës. Ata kanë përgjegjësi ndaj popujve të tyre. Ata që marrëzinë e kthejnë në program, është për të qarë”, deklaroi Rama.

“Kam thënë që nuk dua të hyj në komente të kësaj telenovele sepse është një telenovelë shumë e shpifur. Është shumë e shpifur. Është shumë e turpshme, është shumë e shëmtuar dhe është telenovela e një marrëzie që tanimë ka dalë komplet në sipërfaqe dhe që faktikisht nëse e sheh si shpaloset, me çfarë personazhesh dhe argumentesh është e dhimbshme për këtë vend, për këtë popull dhe mbi të gjitha për ata që i kanë besuar deri më tani, madje edhe protagonistëve të kësaj telenovele. Është një histori të marrësh. Kjo është qesharake. Është përtej luftës për pushtet.

Ka luftë për pushtet që është një sfidë brenda një kornize, pra me Fatos Nano kryeministër dhe kryetar partie në një fazë të karrierës së tij kur sipas meje ylli i PS po perëndonte si forcë qeverisëse dhe po shkonte drejt rënies në opozitë dhe me një njeri që bëhet sfdidant dhe pretendon të marrë drejtimin. Në vendin tonë pas 31 vjetësh liri dhe përpjekje të vazhdueshme për të ndërtuar një sistem demokratik të dalë një njeri non grata pasi ka qenë president, kryeministër dhe të damkoset si një nga personat që përbëjnë listën e zezë të SHBA kjo është shumë e dhimbshme dhe shumë e rëndë. Por që ky njeri tani të kthehet në personin që predikon shpëtim, kjo është marrëzi pastaj.

Është tragjikomike. Është groteske. Po më kërkon opinionin tim apo ç’të bënte ai. Nga ana tjetër është marrëzia e atij tjetrit kështu që është një valle mes të marrësh në buzën e humnerës ku praktikisht do të bjerë PD, është opozita kryesore e Shqipërisë. Unë po të them është e shëmtuar, është qesharake. Është e shëmtuar në përmbajtje, që Shqipëria të ketë vërdallë një kufomë politike non grata dhe nga ana tjetër përballë kufomës politike të jetë një kufomë tjetër grata dhe këto dy kufoma të hedhin vallen e tyre në kurriz të një populli të tërë opozitar dhe të kondicionojnë jetën politike në Shqipëri me një spektakël që është për të qeshur dhe për të qarë”, tha Rama. /Abcnews.al