Kryeministri Edi Rama ka vlerësuar dorëzimin e mandatit të deputetit nga Saimir Tahiri, duke e konsideruar akt dinjitoz. Në një intervistë për emisionin “Opinion” në Tv Klan dhënë për gazetaren Manjola Bregasi, Kryeministri Rama ka mohuar që t’i ketë sugjeruar Tahirit të dorëzojë mandatin e deputetit. Ai thotë se nuk ka pasur dijeni paraprakisht për dorëheqjen e Tahirit, duke arsyetuar se prej 6 muaj ish-ministri i Brendshëm nuk është pjesë e grupit parlamentar të PS. Sa i përket akuzave të opozitës se dorëheqja e Saimir Tahirit është kërkuar nga Gjermania, Kryeministri Edi Rama i mohon këto pretendime.
Pyetje: Z.Rama çfarë mendoni ju për dorëheqjen e Tahirit?
Edi Rama: Një akt dinjitoz, në kujtesën time i pari i këtij lloji në historinë e parlamentit shqiptar, i respektueshëm plotësisht. Unë gjykoj asgjë nga ato që thuhen në këtë rast, sepse ky është një rast për të cilin jam shprehur qartë këtu e 6 muaj më parë, se i takon Saimir Tahirit dhe drejtësisë.
Pyetje: A ja keni kërkuar ju dorëheqjen?
Edi Rama: Besoj që është humbje kohe të merremi me llafet e kazanit politik dhe mediatik, pasi ky është një akt që flet vetë dhe është i respektueshëm për atë që është. Unë s’kam pasur asnjë dijeni dhe s’ka asnjë arsye pse unë duhet të kisha dijeni. Saimir Tahiri prej 6 muajsh nuk është pjesëtar i grupit tonë parlament dhe nuk ka asnjë rol në Partinë Socialiste.
Pyetje: Ky vendim i Tahirit, e çliron Parlamentin shqiptar qoftë në sytë e publikut apo qoftë edhe në ato akuzat e inkriminimit që janë bërë?
Edi Rama: Parlamenti shqiptar, fatkeqësisht nuk është një i tërë sot, është i ndarë. Parlamenti shqiptar ka një shumicë, ka dhe një pakicë. Në rast se flasim për shumicën, nuk ka pasur asnjë lloj nevoje të çlirohet nga asgjë. Shumica ka mbajtur qëndrimin e duhur për këtë rast. 100 herë të ktheheshim mbrapsht, 100 herë do kishim mbajtur të njëjtin qëndrim.
Pyetje: Lidhur me deklaratat që Tahiri ka bërë për qëndrimet që ministri i Brendshëm ka mbajtur ndaj policisë dhe krimit, a keni ju një koment?
Edi Rama: Saimir Tahiri ka qenë ministër i Brendshëm pothuajse një mandat të plotë me mua dhe unë nuk i heq asnjë presje të gjithë atyre që kam thënë në kohën kur ai ishte ministër i Brendshëm, sepse kam mbështetur dhe vlerësuar punën e tij. Ashtu sikundër mbështes dhe vlerësoj punën e ministrit aktual të Brendshëm. Janë natyra të ndryshme, janë qasje të ndryshme, janë stile të ndryshme.
Pyetje: Kryetarja e LSI Monika Kryemadhi, njëkohësisht z.Berisha sot kanë artikuluar që në fakt Europa kërkon largimin tuaj, jo largimin e Saimir Tahirit. Si i komentoni ju këto deklarata?
Edi Rama: Përfytyroni se në ç’mjerim do të ishte Europa nëse do të fliste për shqiptarët nëpërmjet Sali Berishës dhe Monika Kryemadhit. Por, ata nuk kanë asnjë lidhje me Europën në kuptimin e zëdhënies në emër të Europës dhe fatkeqësisht janë sot kundërshtarë të vendosur të rrugës sonë për të ecur më shpejt drejt Europës për të çelur negociatat për anëtarësim në Bashkimin Europian, dhe kjo është një fatkeqësi e jona e përbashkët, por në këtë mes Europa s’ka asnjë lidhje. Patjetër ata thonë kaq dhe shumë më tepër se sa kaq dhe ajo që unë mund të them për ato që ata thonë, është Zoti i ndihmoftë ata që i dëgjojnë.
Pyetje: Kreu i demokratëve Lulzim Basha tha se kjo është një lojë që bëhet pas presionit që juve keni patur në Gjermani.
Edi Rama: Unë në Gjermani nuk kam pasur asnjë presion. Në Gjermani në komisionin çështjeve europiane, unë thjesht i jam përgjigjur interesimit të një deputeti për këtë çështje duke dhënë edhe shpjegime bazuar në qëndrimin tonë që është publik këtu. Sa për lojën, lojë është t’i ikësh drejtësisë me raporte mjekësore siç ka bërë Lulzimi.
Pyetje: A është një sinjal për hapjen e negociatave gjesti i Tahirit?
Edi Rama: Hapja e negociatave nuk ka lidhje fare me këtë rast dhe leje më pastaj me këtë gjest. Hapja e negociatave është tani më një çështje politike. /tvklan.al