Rama: Fitoi Shqipëria, Europa nuk bën dhurata

schedule17:20 - 17 Prill, 2018

schedule 17:20 - 17 Prill, 2018

“E duam Shqipërinë si gjithë Evropa, ka qenë aspirata e shqiptarëve në vitin 1990. 28 vite më pas një kapitull i ri nisi më vendin tonë”. Me këto fjalë e bëri hyrjen e fjalimit të tij kryeministri Edi Rama për rekomandimin pa asnjë reserve nga komisioni Evropian për tu ulur në tryezën e negociatave.

 “Jam i emocionuar, – ata që merren me frymëmarrjen mbase e ndjejnë – dhe shumë krenar sepse ia dolëm këtij provimi të stërvështirë”.

Rekomandimi për çeljen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian, është njohja e meritave të qeverisë në fushën e reformave dhe luftën kundër krimit e korrupsionit tha kreu i qeverisë.

“Rekomandimi për çeljen e negociatave për anëtarësim në BE, nuk është fundi i këtyre betejave, as fundi i hesapeve me krimin e me korrupsionin, por futja në një fazë të re, edhe më të vështirë, të reformave dhe përshkallëzimi i mëtejshëm i luftës kundër krimit e korrupsionit”.

Pjesë e këtyre betejave duhet të bëhet edhe opozita të cilës i shtrin dorën e bashkëpunimit.

“Dora jonë është sot e shtrirë përsëri ndaj opozitës dhe unë e ftoj sot, përpara të gjithë shqiptarëve, socialistë e demokratë, po mbi të gjitha në emër të të gjithë fëmijëve të Shqipërisë pa asnjë dallim, opozitën e kryetarin e saj, që të mos ngatërrojmë përplasjet shqip për gjithçka na ndan së brendshmi, me këtë sfidë të përbashkët kombëtare, e cila, sot më shumë se kurrë, kërkon që kur flasim në gjuhë të huaj, të mos tregojmë me gisht njëri-tjetrin, po t’i dalim shqiptarisht zot Shqipërisë dhe të ardhmes së saj europiane”.

Pavarësisht se ia njeh meritat paraardhësve të tij në qeveri, nuk i anashkalon akuzat për opozitën e sotme.

 “Sepse kjo nuk është fitorja e partisë që luftoi me gjithsej për këtë ditë, ndaj partive që luftuan me gjithsej për ta shtyrë këtë ditë në pafundësi. Kjo nuk është as fitorja e qeverisë që u angazhua me mish e me shpirt dhe u baltos deri në kockë, në përpjekjen drejt këtij objektivi strategjik për Shqipërinë, mbi opozitën që la kockat në angazhimin e saj për ta bërë të pamundur këtë objektiv”.

Beson se pas dy sprovave të kaluara me shumë pengesa nga ato që dihen e nga të tjera që nuk thuhen, do tia dalë edhe në të tretën.

“Jam i bindur dhe të jeni të bindur ne do ta bëjmë Shqipërinë pjesë përbërëse, përgjithnjë të pandashme, të botës ku dielli lind aty ku perëndon. Në kohën e sotme, kjo do të thotë, Shqipëria shtet anëtar i Bashkimit Europian”. /abcnews.al