Rama dhe Basha reagojnë nga Facebook-u për gjykatat

schedule14:35 - 24 Korrik, 2018

schedule 14:35 - 24 Korrik, 2018

Kryeministri Edi Rama ka reaguar përsëri ndaj deklaratave të opozitës se vendi po mbetet pa gjykata. Në një postim në rrjetet sociale, kreu i qeverisë  sqaron se djepi është më mirë bosh se me shejtanin brenda. I menjëhershëm ka qenë reagimi i kryetari të Partisë Demokratike Lulzim Basha sipas të cilit djepi bosh i Gjykatës Kushtetuese i duhet kryeshejtanit për të mbrojtur mega aferën 200 milionë Euro me grabitjen e Teatrit Kombëtar. 

Ky është shqetësimi kryesor i opozitës prej javësh. Ia drejtojnë Kuvendit e qeverisë. Ai që vendos t’u përgjigjet është kryeministri Edi Rama, jo nga foltorja e parlamentit, as nga zyra e kryeministrisë, por nga rrjetet sociale.

“Po mbetemi pa gjykata të sipërme?Jo! Po operojmë organizma të kancerizuar që e degraduan deri në kockë drejtësinë. Më mirë djepi bosh se shejtani brenda! Ky pastrim është shpëtim për dekada e breza që vijnë,rilindja e këtyre gjykatave është vetëm çështje e më pak se një viti”, shkruan Rama.

E ndërsa kryeministri premton zgjidhje në më pak se një vit deri atëherë është përsëri kohë e largët për kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i cili ia ka kthyer përgjigjen po në rrjetet sociale.

“Djepi bosh i Gjykatës Kushtetuese i duhet kryeshejtanit për të mbrojtur mega aferën 200 milionë Euro me grabitjen e Teatrit Kombëtar.
Ndërsa shejtanët në djepin e Prokurorisë ju duhen për të mbrojtur lidhjet me krimin dhe aferat korruptive, nga Tahiri te Xhafaj, nga Dako te Veliaj, nga Gjiknuri te Ahmetaj, nga Sejdini te Roshi me shokë”,
shkruan Basha.

Por pavarësisht deklaratave të kryetarëve të dy partive më të mëdha në vend mungon informacioni se kur dhe si do të mbushet me prokurorë e gjygjtarë të ndershëm djepi i boshatisuri i sitemit të drejtësië./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!