Rama dekoron policët që bënë luftë me grabitësit në Fier

schedule20:33 - 26 Mars, 2018

schedule 20:33 - 26 Mars, 2018

Në një takim me punonjës të Policisë së Shtetit, kreu i qeverisë i quajti heronj dhe i dekoroi efektivët, që u përplasën me grabitësit javën e shkuar në Fier. Kryeministri njoftoi dhe nisjen e Vetingut në radhet e policisë.

Pasi i cilësoi si heronj dhe shembull i shkëlqyer i kurajos dhe integritetit, Kryeministri Edi Rama dekoroi pesë efektivët e policisë së Fierit, që shkëmbyen plumba me grabitësit e një çifti të moshuarish. Në këtë ngjarje u vra një nga grabitësit dhe u plagos një tjetër.
Në fjalën e tij para dhjetra efektivëve të Policisë së Shtetit, Rama dha një mesazh të fortë për këdo që ngre armën drejt policisë.

Edi Rama: “Do të kishte qenë shumë më mirë nëse grabitësit do të ishin dorëzuar pa qenë nevoja që njëri prej tyre të humbte jetën, por nëse keqbërësit nuk pranojnë të ulin armën dhe me armë kërcënojnë jetën e qytetarëve dhe policëve, kjo ishte dhe mbetet e vetmja përgjigje që ata mund të marrin dhe e vetmja përgjigje që do të meritojnë në çdo rast. Koha kur qytetarët ishin rëndom në mëshirën e kriminelëve, kur grabitësit hynin e dilnin nga banesat dhe bizneset e qytetarëve si në një han pa porta ka marrë fund, dhe ka marrë fund një herë e mirë”.

Sipas kryeministrit, zbulimi në masën 85 përqind të veprave penale në fushën e narkotikëve dhe nxjerrja e vendit nga harta e kultivuesve të kanabisit nuk është rastësi.

Më tej, ai njoftoi nisjen e Vetingut në radhët e policisë.

Kryeministri Rama komentoi edhe vendimin e Qeverisë për pezullimin e regjistrimit të pronave gjatë vijës bregdetare.

Për ministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafaj, ngjarja e Fierit duhet të bëhet mësim për këto që guxon t’i drejtojë armën policisë.

Ceremonia e dekorimit të efektivëv u zhvillua jashtë kamerave./abcnews.al