“Rajoni i kërcënuar nga ambiciet ruse”, Rama: Baza e NATO-s në Kuçovë do të pasohet nga baza e re detare në Porto Romano

schedule11:00 - 4 Mars, 2024

schedule 11:00 - 4 Mars, 2024

“Baza e NATO-s në Kuçovë do të pasohet nga baza e re detare në Porto Romano”, kështu u shpreh kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij të mbajtur në ceremoninë e hapjes së bazës së NATO-s në Kuçovë.

Gjithashtu kryeministri Rama theksoi se rindërtimi i bazës së NATO-s në Kuçovë i tejkalon kufijtë e Shqipërisë dhe është një element sigurie për rajonin tonë, për Ballkanin Perëndimor.

“Një bazë e cila është një tjetër element sigurie për rajonin tonë të Ballkanit Perëndimor i cili e dimë mirë se është një rajon jo i pa rrezikuar nga kërcënimi dhe ambiciet neo-imperialiste të Federatës Ruse.

Riaktivizimi i këtij aeroporti ushtarak është njëkohësisht edhe pjesë e ripërtëritjes dhe rritjes së mëtejshme cilësore të flotës sonë ajrore. Dy helikopterët e rinj Black Hawk si dhe dronët Bayraktar janë pjesë e një rritjeje që do të vazhdojë.

Nga ana tjetër, e fundit, por jo për nga rëndësia, dua të falënderoj të gjithë banorët e zonës së Kuçovës, të Tapisë, të Dimalit edhe të Beratit e më gjerë për durimin që kanë treguar gjatë rehabilitimit dhe rindërtimit të kësaj baze. Uroj shumë që baza taktike e NATO-s të sjellë për ta mundësi të reja punësimi si edhe mundësi të reja për të gjithë zinxhirin e shërbimeve duke ndikuar në ekonominë lokale.

E fundit, por aspak për nga rëndësia, dua t’i shpreh një falënderim të posaçëm të gjithë atyre që kontribuuan duke filluar, sigurisht nga aleatët tanë të NATO-s me shpresën dhe besimin që kjo bazë e re taktike ajrore e NATO-s do të shoqërohet në vitet në vijim nga baza e re detare e NATO-s në Porto Romano, gjë për të cilën po punojmë ngushtësisht me NATO-n dhe jemi shumë besimplotë se së shpejti do të mund t’i gëzohemi lajmit të përfshirjes së këtij projekti në planet e aleancës.

Falenderim të posaçëm dhe një urim për shëndet e për gjithçka u do zemra të gjitha Forcave tona të Armatosura, të gjitha trupave dhe individëve që militojnë në këto forca dhe që dita-ditës e bëjnë Shqipërinë më krenare për to dhe janë një arsye më shumë që ne të ndjehemi më krenarë për Shqipërinë”, tha Rama./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!