Rama-Basha, beteja për publikun

schedule20:13 - 9 Mars, 2019

schedule 20:13 - 9 Mars, 2019

4 deputetë të rinj zunë vendet nga listat e PD e LSI në Kuvend, ndërsa opozita mbante protestën e radhës para Kuvendit të Shqipërisë, duke kërkuar largimin e Kryeministrit. Ky i fundit, në një gjest të pahasur më parë, shkoi në Itali, ku mori me radhë disa nga studiot televizive e zyrat e gazetave, duke dhënë qëndrimin e tij, për çka po ndodhte në Shqipëri, e pa asnjë lloj takimi me zyrtarë të lartë, siç do i takonte një Kryeministri. Në Tiranë, deputetët e vet, në një shpërndarje të koordinuar në të gjitha studiot tv, përsërisnin mesazhet e shefit të qeverisë, e vend në media iu bë edhe atyre që pranonin të ishin pjesë e Kuvendit. Nga ana tjetër, shefi i opozitës spikaste si solisti i vetëm, në atë që tashmë është shndërruar në betejë politike për perceptimin publik, e ku qeverisja e vendit, jo vetëm metaforikisht, ka kaluar në plan të dytë.

Po çfarë ndodhi javën politike që lamë pas?

Për të dytën javë radhazi, mazhoranca sprovoi organizimin e opozitës, që paralajmëron protesta në çdo ditë seancë plenare. Kuvendi u mblodh sërish të martën, e ora u njoftua vetëm 24 orë para. Kësaj sprove politike mes palëve, i vuri emrin Presidenti i Republikës. I shigjetuar si nga raporteri për Shqipërinë Fleckenstein, që i referohet kryetares së LSI si zonjë e parë, ashtu edhe nga Kryeministri që LSI i referohet si partia e Presidentit, Ilir Meta si kryetar shteti sheh dy aktorë në këtë krizë.

I vetmi që iu përgjigj ishte Lulzim Basha, por jo me reflektim ndaj mesazhit. Por hapa para bëheshin edhe ndaj opozitës. KQZ u dha mandatin e deputetit 4 kandidatëve nga listat e LSI. Mazhoranca u kujdes të bënte të ditur se të katër do betoheshin 24 orë me vonë në Kuvend, të martën e seancës plenare, e njëjta shpejtësi orare e përdorur edhe kur 57 deputetë të opozitës hoqën dorë në bllok nga mandatet, e dy të tjerë më vonë. 5 kandidatë të tjerë kanë dorëzuar formularët e dekriminalizimit, në pritje për marrjen e mandatit. Basha shfrytëzoi një takim me aleatët në seli për të shprehur qëndrimin për atë rrjedhje të nisur të kandidatëve, edhe nga listat e tij. Mesazhi kryesor ishte një tjetër: informimi i publikut se veç dosjes së mirënjohur 339 ku flitet edhe për blerje të zgjedhjeve, ekziston edhe një e ngjashme me nr 184, mbi zgjedhjet e parakohshme vendore në Dibër.

E marta e gjeti opozitën në protestën e katërt brenda tre javëve, e qëkur ka lënë mandatet, është zhvendosur para parlamentit në çdo seancë plenare. Pas dilemave që dominuan deri vonë, KM e theu traditën e mosqëndrimit në Tiranë në ditë protestash opozitare.  Protagonistët e asaj seance ishin katër deputetët e rinj. Spikati një mesazh i posaçëm për deputeten e PD Rudina Hajdari, e cila e ka ende mandatin. I vëllai Kiri, dha një mesazh të kundërt me të motrën. Pas tyre edhe aleatët e ish-deputetët, i dhanë publikut mesazhe se opozita ishte e unifikuar në atë vendim. Në seancë strategjia dukej ç’tensionimi i deputetëve, që kishin dalë kundër vendimit politik të forcës që i kishte propozuar. Vetë Kryeministri mori përsipër ta paraqiste si normalitet. 

Nëse Rama ka hallin e vizatimit të tyre si opozita, nga jashtë halli i Bashës është tek të tjerët që vetë ka vënë në lista, e do bëjnë të njëjtin veprim. Me numrat formalë opozitarë, Bashës i bëhet ftesë e shantazh. Por që të bëjë lëvizjen e pazakontë, duke shmangur opozitën emblematike, Rama ka nevojë për mbështetjen e të vetëve, e prandaj ua kujtoi se duhet t’i qëndrojnë pas. Të vetët iu përgjigjën duke respektuar skenarin. Mesazhet e Kryeministrit ishin pjesë e çdo fjalimi, edhe pse rendi i ditës kishte çështje konkrete, e ata që dikur u devijonin debatin, nuk ndodheshin në sallë.

Pas fjalimeve, vijimi ishte një déjà vu me djegie gome, e figurës prej kartoni të Kryeministrit, i portretizuar si Maduro i Venezuelës, e hedhje tymuesesh e shashkash. Nuk pati ndeshje me kordonin e policisë e për pasojë as gaz lotsjellës, që shkaktoi jo pak problem në tre protestat e para. Fokusi ishte tek kandidatët që do pranonin marrjen e mandateve, e me një gjest simbolik, Basha i ndjekur nga protestuesit, dorëzoi në KQZ dokumentet e refizimit të 103 kandidatëve në listat e PD të 2017. Mbyllja e protestës si zakonisht në selinë blu, ku ndryshe nga një javë më parë, interpretimin e himnit kombëtar ia besoi një profesionisti.

Përse vallë Edi Rama zgjodhi Italinë për të bërë sqarimin e tij për situatën në Shqipëri? E para ishte një dalje 30 minutëshe, 20 minuta pas mesnatës, tek emision autoritar Porta e Porta, i gazetarit veteran Bruno Vespa në RAI 1. Mesazhi i kryeministrit ishte ai që u kishte thënë edhe gazetarëve italianë, që e kishin intervistuar në Tiranë. Balancën e kërkuar gazetareske, programi e vuri me një prononcim të shkurtër të Lulzim Bashës.

Në panelin ku spikaste miku i Kryeministrit, ish futbollisti i njohur shqiptar që jeton në Itali, Igli tare, e një sipërmarrës Italian në Tiranë, dominoi mesazhi se imazhi i vendit po dëmtohej nga aksioni i opozitës, njëlloj si integrimi. Këto mesazhe erdhën identike në gojën e Kryeministrit në intervistat që pasuan, në La republica, La Sette dhe edicionin e lajmeve të TG 5.

Në Shqipëri mediat vazhdojnë të ushqehen me deklarata nga Brukseli, edhe pse kryesisht në nivel burokratësh e jo vendim marrësish politikë. Përveç 7 eurodeputetëve javën e kaluar në Tiranë, të tjerët kanë preferuar të mos u japin zë e figurë deklaratave të tyre. Pas shefes së diplomacisë Mogherini e komisionerit për zgjerimin Hahn, të njëjtën rrugë të pazëshme zgjodhi edhe kryetarja e delegacionit parlamentar BE-Shqipëri, eurodeputetja Monika Makovei, për të thënë se veprimet e opozitës rrezikojnë të nxjerrin vendin nga shinat e reformave.

Ky mesazh për legjitimitet, që përputhet me atë të Fleckenstein e kolegët e tij në Tiranë, kontrastoi fort me një deklaratë me zë e figurë javën politike që lamë pas, nga ish ambasadori amerikan në maqedoni Filip Riker, që pas emërimit, së shpejti merr detyrën e zv/ndihmës sekretarit të shtetit. Teksa theksoi se palët duhet të merren vesh në kuvend, mesazhi i Riker nga Shkupi tingëlloi i ngjashëm me ato që përcillte jo shumë larg në Tiranë, një tjetër zyrtar amerikan, Donald Lu, një mesazh që çuditërisht nuk haset në artikulimet që vijnë nga BE

BE preferon mesazhet tradicionale që prekin kornizën e situatës por jo atë vetë. I përcolli pas takimeve me aktorët në Tiranë, edhe drejtori për zgjerimin në KE, sektori ku draftohen progresraportet, pas informacioneve të grumbulluara. Në pritje të protestës së 16 marsit para Kryeministrisë, zv ambasadorja amerikane, vijon kontaktet individualisht me palët, së pari me Lulzim Bashën e Monika kryemadhin.

Pasditen e të enjtes diplomatja amerikane pati një takim edhe me Ramën. Mesa duket aspak i vetmi në axhendën e asaj dite në godinën e qeverisë, nga e cila u panë të dilnin ish drejtorë, ministra e deputetë. Këta të fundit vijojnë prezencën e shtuar televizive, mes mesazheve taktike e diversionin për rivalët politikë.  Kryeministri e ka të qartë se denoncimet për votat në zgjedhje, mbeten një pikë e errët për qeverisjen e tij, edhe pse ritmi i hetimit të prokurorisë duket i avashtë, e do kapërcejë mandatin e të zgjedhurve vendorë. Për pasojë, nga mohimi, Kryeministri kaloi në akuzë ndaj aleatit të vet të dikurshëm, sot në krah të Bashës.

Mes përpjekjeve nga një anë për të mbushur vendet e opozitës në Kuvend, e tjetrës për t’u siguruar që ato të mbeten bosh, e në mungesë të Gjykatës Kushtetuese që do sqaronte shumë veprime të errëta ligjore, jo vetëm javët e fundit, e dukshme është se vëmendja totale e të dyja palëve është për perceptimin public. Qeverisja e shqiptarëve ka kaluar në plan të dytë, e vendi ngjan në fushatë zgjedhore. Nga njëra anë, strategjia e KM për të relativizuar aksionin e protestat e opozitës, të cilat e ndjekin edhe në aktivitetet në rrethe, më i fundit 8 Marsi në fier. Nga ana tjetër, Basha që paralajmëron se në 16 Mars do ia çojë qytetarët edhe më masivisht para Kryeministrisë. Sa mund të zgjasë kjo sprovë force paralizuese për vendin? Vështirë të parashikohet, e natyrisht rezultati mbetet për t’u parë!/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!