Qytete të tëra në shtetrrethim, zgjerohen protestat për vrasjen e George Floyd në SHBA

schedule10:11 - 3 Qershor, 2020

schedule 10:11 - 3 Qershor, 2020

Në Shtetet e Bashkuara kanë vazhduar protestat për vrasjen e një afrikano-amerikani në Mineapolis, derisa shumë shtete kanë vendosur masën e shtetrrethimit për të parandaluar trazirat, dhunën dhe plaçkitjet.

Dhjetëra qytete përfshirë New York, në Los Anxhelos po zbatojnë shtetrrethimet, ndërsa presidenti Donald Trump po rrit presionin ndaj guvernatorëve për të angazhuar Gardën Kombëtare një ditë pasi ai kërcënoi për ndërhyje të ushtrisë kundër trazirave dhe plaçkitjeve.

Në Uashington, automjetet e blinduara ushtarake dhe policia u pozicionuan në rrugët e qytetit.

Në New York kishte raportime për disa plaçkitje dhe dëme në prona. Policia tha se kishte bërë disa arrestime. Protestuesit kanë kundërshtuar masën e izolimit në këtë shtet.

Disa protestues ishin akoma jashtë rrugëve pas orës 7 të pasdites, por më pak se netët e mëparshme pasi tensionet dukej se ishin qetësuar për dallim nga një ditë më parë.

Afrikano-amerikani, George Floyd, 46 vjeç, vdiq javën e kaluar, pasi u ndalua nga oficerët policorë.

Disa video të publikuara treguan sesi një polic i bardhë, gjatë arrestimit të George Floyd, bëri presion me gju në qafën e tij, teksa ka tentuar ta arrestojë, ndërsa Floyd dëgjohej duke bërtitur “të lutem, nuk mund të marr frymë” dhe “mos më vrit”.

George Floyd më vonë ka vdekur në spital.

Katër oficerët e përfshirë në çështjen Floyd janë pushuar nga puna. Ndaj policit që shihej tek bënte presion me gju në qafën e viktimës, është ngritur kallëzim penal.

Trazirat filluan në Mineapolis dhe u përhapën në të gjithë SHBA-në që nga vdekja e Floydit më 25 maj./abcnews.al