Qytetarët udhëtojnë si në sauna, mungesa e kondicionerëve në urban

schedule17:13 - 14 Qershor, 2019

schedule 17:13 - 14 Qershor, 2019

Në disa autobusë urbanë në Tiranë qytetarët udhëtojnë në temperatura mjaft të larta në këto ditë të nxehta. Për mosfunksionimin e kondicionerëve, Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit ka vendosur gjoba  ndaj shoqërive të transportit. Ndjekim vëzhgimin e “Abc News”.

Kamera e ABC News detyroi ndezjen e kondicionerit  në një nga autobusët urbanë të Unazës në Tiranë. Është ora 13:00 dhe temperatura shënon 35 grade celcius. Por udhëtarët e këtij autobusi në kryeqytet janë të detyruar të udhëtojnë si në sauna. Në një tjetër linje të Unazës, kamera nuk u lejua të filmojë.

Faturino nuk dha asnjë shpjegim veç faktit se ky autobus është privat, ndonëse një shërbim publik për qytetarët taksapagues, i garantuar si detyrim i një kontrate me bashkinë.

Udhëtare të linjës së Unazës po edhe asaj Kombinat – Kinostudio nuk pranojnë të flasin para kamerës, por ata thonë se shpesh herë kondicionerët nuk ndizen, pavarësisht temperaturave shumë të larta.

Por nuk funksionon kështu për të gjithë autobusët. Në një autobus të linjës Porcelan-Qendër kondicioneri ishte në funksion.

Estref Agolli, Specialist i Transportit në Agjencinë për Mbrojtjen e Konsumatorit,  i kontaktuar nga ABC News, tha se që nga data 1 Qershor ka nisur vendosja e masave administrative për shoqëritë e transportit urban në Tiranë, që nuk respektojnë detyrimin për kondicionerët apo për plotësimin e kushteve të tjera për udhëtarët.

Agalliu tha se ankesat e qytetarëve janë të shumta, por situata në krahasim me një vit më parë ka ndryshuar dhe tek operatorët e linjave te transportit  urban ne Tirane, vihet re një ndërgjegjësim më i madh./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!