“Qytetarët festojnë, Kosova vuan”/ Ish ministri Pajaziti: Ajo që po ndodh me aleatët është e turpshme

schedule16:34 - 17 Shkurt, 2024

schedule 16:34 - 17 Shkurt, 2024

Ish ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Zenun Pajaziti thotë se 16 vite pas shpalljes së pavarësisë, askush nuk mund ta ndryshojë apo ta kthejë pas historinë.

Në një intervistë për “Ballkan Update” në ABC News, Pajaziti u shpreh se ende ka sfida që duhen përmbushur, për ta bërë të plotë funksionimin e shtetit të Kosovës.

Sipas Pajazitit, veprimet e qeverisë së Albin Kurtit në raport me SHBA dhe BE janë të frikshme.

“Sot është dita e pavarësisë së Kosovës. Jemi 16 vjet pas. Jemi këtu edhe të një prej simboleve të kësaj dite. Nuk ka askush që mund ta ndryshojë historinë. E para, duhet ta kuptojmë se kemi ende sfida për ta bërë të plotë funksionimin e shtetit tonë, për fakte që dihen dhe nuk mund t’i mohojmë këto. Kur e shpallëm pavarësinë, sfidat ishin edhe më të mëdha, shumë më të mëdha. Pas shpalljes së pavarësisë, serbët abstenuan. Por kjo nuk ia ndaloi asnjëherë, cilitdo udhëheqës politik që t’i ruanim marrëdhëniet me SHBA dhe BE.

Sot, kjo që po shohim ne, me qëndrime të cilat e kanë sjellë vendin tonë në një pozicion të mjerueshëm në raport me partnerët tanë kryesorë, është jo vetëm e dhimbshme, por është e frikshme. Mendoj dhe shpresoj se do të ketë një reflektim. Qytetarët e Kosovës janë të lidhur ngushtë me këtë miqësi, vendi ynë është i lidhur ngushtë, vetë krjimi i shtetit tonë është i lidhur ngushtë me këtë partneritet”, theksoi ai./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!