Qytetarët e Tiranës dhurojnë ndihma në ambasadën ukrainase

schedule15:56 - 1 Mars, 2022

schedule 15:56 - 1 Mars, 2022

Ilaçe, produkte higjienike, ushqime, veshmbathje, jastëk e batanije. Me të tilla ndihma qytetarët shqiptarë i janë drejtuar Ambasadës së Ukrainës në Tiranë paraditen e të martës. Ndërsa presin që dikush t’ju përgjigjet pamja e ndërtesave të Kievit bombarduar nga sulmet ruse iu shfaqet para syve.

Ndihmat e qytetarëve të thjeshtë, por dhe deputeteve tregon bashkëshortja e Ambasadorit të Ukrainës në Shqipëri do t’u dërgohen njerëzve atje që për t’ju shpëtuar të shtënave prej ditësh po qëndrojnë në bodrume.

“Ne kemi nevojë për të gjithë këto ndihma që po vijnë.  Njerëzit në Ukrainë po rrinë në strehime nëntokësore ku mungojnë kushtet. Ka nevojë shumë dhe për ilaçe. Listën  e kemi vendosur në faqen zyrtare të Ambasadës, do t’ju kërkonim ta shihnit për të mësuar cilat janë nevojat më emergjente.”

Ndihmat humanitare nuk janë e vetmja formë solidariteti e shqiptarëve ndaj ukrainasve.

“Ka shumë qytetarë që kanë marrë në telefon dhe kanë shprehur dëshirën dhe gatishmërinë për të dhënë kontributin e tyre në luftën në Ukrainë. Ambasada ka përcjellë informacion për rrugën që duhet ndjekur. Gjithmonë duhet pasur parasysh legjislacioni i Shqipërisë.”

Bashkë me mirënjohjen për shqiptarët që po këto ditë po i trokasin në dyert e selisë dhe ato që iu bashkuan protestave para Ambasadës Ruse zonja Shkurov ka dhe një mesazh për intelektualët në vendin tonë.

“Një ndihme e madhe për ne mund të ishte dhe nga intelektualët shqiptar. Në qoftë se janë kundër asaj që po ndodh në Ukrainë, kundër luftës, mund të bëjnë një thirrje, një deklaratë publike për të shprehur qëndrimin e tyre.”

Ndërsa në Ambasadën e Ukrainës në Tiranë ikin e vijnë qytetarë  përpara Ambasadës së Rusisë që ndodhet vetëm pak metra më larg qëndron një makinë policie. Mesa duket  Policia e Shtetit ka shtuar gatishmërinë pas ngjarjeve të fundit. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!