Qeveria urdhër agjentëve imobilare: Denonconi paratë e pista

schedule17:48 - 25 Janar, 2022

schedule 17:48 - 25 Janar, 2022

Agjensitë imobilare dhe punonjësit e tyre do të kenë detyrimin që të ushtrojnë aktivitetin përmes licensimit nga Ministria e Drejtësisë. Mazhoranca kaloi në Komisionin e Ligjeve vetëm me votat e saj një projektligj që përcakton detyrimin e çdo zyre imobilare që të certifikojë në ministrinë e drejtësisë punonjësit e saj.

Sipas projektligjit të qeverisë, një punonjës imobilar që të certifikohet nuk duhet të jetë nën hetim apo gjykim për veprat penale në fushën e pastrimit të parave, të financimit të terrorizmit apo të armëve të shkatërrimit në masë.

Por me këtë projektligj ndërmjetësuesit në zyrat imobilare do të kenë edhe detyrë të raportojnë për raste të dyshimta të pastrimit të parave.

Në projektligj është përcaktuar që ndërmjetësuesi ka për detyrë të raportojë çdo dyshim për pastrim parash apo financim të terrorizmit.

Por për opozitën ligji ndërhyn në të drejtën ekonomike që këto subjekte kanë për të ushtruar aktivitetin e tyre. Madje për kreun e grupit parlamentar të PD, Enkelejd Aliebaj qëllimi është më i madh se kaq.

Në fund përmes një votimi të kontestuar nga përfaqësuesit e opozitës në sallë, projektligji kaloi me votat e shumicës, një pjesë e konsiderueshme e deputetëve të së cilës e zhvilluan mbledhjen online. /abcnews.al