Qeveria prezanton buxhetin në Kuvend. Largohet opozita

schedule14:15 - 31 Tetor, 2017

schedule 14:15 - 31 Tetor, 2017

Opozita u largua nga mbledhja e Konferencës së Kryetarëve ku Qeveria i prezantoi për herë të parë Kuvendit p/buxhetin dhe paketën fiskale për vitin e ardhshëm. Nuk mund të bëhemi pjesë e një fasade normaliteti, shpjeguan demokratët, duke kërkuar edhe njëherë krijimin e një qeverie antimafia. Ndërsa akuzës së socialistëve se po bojkotojnë interesat e qytetarëve, LSI iu përgjigj duke treguar firmën e munguar të Edi Ramës në draft.

Diskutimi parlamentar për buxhetin dhe paketën fiskale të vitit 2018 nisin me prezantimin para Konferencës së Kryetarëve nga ministri i Financave dhe Ekonomisë. Por para se të merrte fjalën Arben Ahmetaj, opozita njoftoi se nuk mund të bëhej pjesë e një një fasade normaliteti, duke u larguar kështu nga mbledhja.

Largimin e kolegëve të opozitës, socialistët e quajtën si një bojkot të interesave dhe pritshmërive të qytetarëve.

Në emër të LSI-së, Petrit Vasili replikoi nga salla e konferencave, duke shpjeguar mos marrjen pjesë në prezantimin e buxhetit me mungesën e firmës së Edi Ramës në draft, i cili në mungesë dhe me autorizim të Kryeministrit, është firmosur nga zv/kryeministrja Senida Mesi.

Pavarësisht kësaj situate, ministri Ahmetaj vijoi me prezantimin e tij në Konferencën e Kryetarëve.

Kryeparlamentari Ruçi falënderoi ekzekutivin për paraqitjen në kohë të p/buxhetit 2018 dhe paketës fiskale që e shoqëron, duke i lënë kështu Kuvendit kohën e mjaftueshme që gjatë muajit nëntor ta diskutojë atë në komisione dhe në dy seanca plenare.

 

https://youtu.be/rU79rP8XyYc

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!