Nisi si një ankesë e një prindi në platformën e bashkëqeverisjes me qytetarët dhe gjeti mbështetjen e disa mësuesve. Kështu lindi nisma “Tre lëndë në gjashtë orë”, që përmes riorganizimit të mësimdhënies në shkolla, synon jo vetëm të lehtësojë peshën e çantave, por edhe ngarkesën mendore të nxënësve. Qeveria e ka pranuar projektin dhe aplikimi do të nisë më 1 shkurt.
Në kuadër të nismës për bashkëqeverisjen me qytetarët, Qeveria ka vendosur të pranojë një projekt të ideuar nga prindër dhe mësues, që synon të lehtësojë ngarkesën e nxënësve si përsa i përket procesit mësimor ashtu edhe peshës fizike të çantave.
Projekti i ri quhet “Tre lëndë në 6 orë” dhe synon të sjellë një organizim të ri të proçesit mësimor në shkolla. Këto të fundit mund të zhvillojnë për një lëndë dy orë mësimore të njëpasnjëshme, me pushim 5 minutësh ndërmjet tyre. Siç shpjegon edhe udhëzimi i Ministrisë së Arsimit, kjo do të thotë që nxënësit mund të zhvillojnë në një ditë 3 lëndë të ndryshme, jo 6 të tilla.
Pas prezantimit të nismës nga ideatoret e projektit, ministrja Nikolla theksoi se aplikimi do të nisë nga data 1 shkurt në të gjitha shkollat e vendit.
Sipas Kryeministrit Rama, kjo nismë që erdhi si një shqetësim i shprehur në platformën e bashkëqeverisjes me qytetarët, tregon se ajo po funksionon.
Rama nënvizoi se platforma lejon edhe zhvillimin e interplencave me ministrant apo edhe vetë Kryeministrit, njësoj si ato që zhvillohen në Parlament. Për këtë, mori si shembull protestën në dhjetor të naftëtarëve të Ballshit që pak ditë më parë morën rrugën në këmbë drejt Tiranës./abcnews.al