“Qeveria nuk krenohet më me inceneratorët”, Gështenja: Opozita të fillojë të kontribuojë për të mirën e vendit

schedule13:44 - 4 Gusht, 2023

schedule 13:44 - 4 Gusht, 2023

Deputeti i Partisë Demokratike, Lefter Gështenja i ftuar në studion e “Tirana Live” në ABC News, ka folur fillimisht për punën e opozitës gjatë këtyre viteve në lidhje me zbardhjen e skemës së mashtrimit me inceneratorët.

Sipas tij, opozita ka bërë një punë të lavdërueshme. Deputeti shtoi se vendi sot po keqqeveriset dhe se për këtë opozita duhet të nisë të kontribuojë për të mirën e vendit, pasi ajo ka peshën e saj për këtë situatë.

Ne sot më shumë duhet të flasim për keqqeverisjen e vendit dhe më pas për situatën ku ndodhet PD, për gati dy vite.

Edhe opozita në tërësi ka peshën e saj për këtë situatë ku ndodhet vendi. Për përgjegjësinë kryesore e ka qeveria. Mjafton të përmend atë që po ndodh kohët e fundit. Vendimet e SPAK së fundmi, tregojnë se të këqijat  që i vijnë këtë vendi, i vijnë nga kjo forcë politike.

Prej gati 10 vitesh, vendi qeveriset nga një organizatë. Mjafton të shohim atë që ka ndodhur me inceneratorët.

Sot edhe pse prej gati 6 vite Rama thoshte opozita këtë punë ka, krenohej me inceneratorët, sot po vërtetohet e kundërta. Pa u përfshirë në tendera të tjerë abuziv.

E fundit, dëmi më i madh që i është bërë këtij vendi nga kjo qeveri është shpopullimi i vendit. Të gjithë këta që po ikin, janë forcë pune, janë intelektualë dhe ikin për të mos u kthyer më.

Këtu duhet edhe kontributi i opozitës, për ta ndalur sadopak këtë fenomen” tha Gështenja.

Gështenja theksoi se të përfshirë në aferën e inceneratorëve janë 16 deputetë të mazhorëncës të cilët kanë firmosur.

Për deputetin e opozitës, pas të gjithë këtyre arrestimeve nga SPAK, kryeminsitri Rama ka përgjegjësi politike.

Opozita ka bërë një punë të lavdërueshme. Ka bërë një raport, i cili edhe pse nuk u votua as nga nga një pjesë e opozitës, u bë bazuar në fakte dhe prova dhe e depozituam në SPAK dosjen.

Unë përgëzoj cilindo që ka kontribuar në nxjerrjen e fakteve për inceneratorët. Kjo është vjedhja më e madhe në 30 vite, e kryer nga një grup i strukturuar.

Flasim për inceneratorë, por ne sot nuk kemi inceneratorë. Inceneratorët do ndërtoheshin edhe për të krijuar energji.

Në Elbasan dhe Fier, kontratat janë të përfunduara, por sot asnjë nga këta nuk punon. Edhe në Tiranë duhet të kishte përfunduar, por nuk është bërë asgjë.

Sot që ne flasim, në karriget e parlamentit shqiptar janë së paku 16 deputetë që kanë kontribuar direkt ose indirekt procedurat e ndërtimit të inceneratorëve.

Nëse SPAK vazhdon kështu, duhet të marri fund pandëshkueshmëria nga të dyja krahët.

Kryeministri thotë që përgjegjësia është personale. Jam dakord, por kryeministri ka përgjegjësi politike, sepse ai i ka zgjedhur këto ministra.

Unë jam me parimin që kur flet drejtësia, politika duhet të heshti” shtoi ai.r.t/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!