Qeveria miratoi paketën e solidaritetit për disa kategori të veçanta, me rastin e festave të fundvitit. Shpërblime do të përfitojnë pensionistët, personat me ndihmë ekonomike dhe ata me aftësi të kufizuara. Një pako të posaçme është për ushtarakët e për trupën e forcave të ndërhyrjes së Policisë së Shtetit, të cilat përballuan përmbytjet disa ditë më parë. Fondi total i shpërblimit për ta është mbi 2 miliardë e 300 milionë lekë./abcnews.al
Në prag të festave të fundvitit, Qeveria miratoi shpërblimet për pensionistët dhe personat që trajtohen me ndihmë ekonomike.
Në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, u miratuan gjithashtu edhe shpërblimet për njerëzit me uniformë që u përfshinë në operacionet për përballimin e situatës së krijuar nga përmbytjet e fundit që u regjistruan në vend në fillim të dhjetorit.
Ministrja e Mbrojtjes theksoi se këto shpërblime, të cilat i kishte paralajmëruar më herët edhe vetë Kryeministri, janë në shenjë mirënjohjeje për kontributin e dhënë gjatë situatës së përmbytjeve.