“Qeveria Kurti, solide”, Ministrja Gërvalla mohon zërat për konflikte me kryeministrin

schedule14:25 - 10 Prill, 2023

schedule 14:25 - 10 Prill, 2023

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka hedhur poshtë të gjitha pretendimet se ka mosmarrëveshje mes “Listës Guxo” dhe “Lëvizjes vetëvendosja”. Sipas Gërvallës, koalicioni qeverisës është stabil ndërsa përpjekjet për t’i përçarë në kabinetin qeveritar “janë naive”. Ndërsa kryediplomatja ka theksuar se është në linjë të njëjtë me kryeministrin Kurti për marrëveshjen bazë të arritur me Serbinë dhe aneksin e zbatimit.

“Të gjitha hapat që i bëjmë edhe në raport me (marrëveshjen) e Brukselit dhe atë të Ohrit dhe në raport me gjitha vendimet që marrim, nuk është sekret që ne kemi një takim të rregullt të udhëheqësve të institucioneve më të larta të shtetit. Pra, kryetarit të Kuvendit, presidencës dhe kryeministrit, në të cilat gjithmonë jam e pranishme edhe unë. Jam pjesë e të gjitha proceseve, përpjekjet janë shumë naive për të na paraqitur sikur kemi qëndrime të ndryshme. Qëndrimet janë të Republikës së Kosovës, nuk janë individuale, as të kryeministrit, as të kryetarit të Kuvendit dhe as të ministres. Nuk kam asnjë problem, përkundrazi kam përkrahur kryeministrin në strategjinë e zgjedhur”

Mirëpo, deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi thotë se kryeministri Kurti po e shpërfillë vazhdimisht ministren Gërvalla. Ajo ngrit dyshime se ndërmjet partnerëve të koalicionit qeverisës ka mospajtime të mëdha, sidomos për dialogun Kosovë-Serbi.

“Unë jam thellë e bindur se zotëri Kurti e ka kuptuar se zonja Gërvalla nuk e ka idenë se çka është politika e jashtme. E kemi pa se nuk është pjesë as e delegacionit në dialog dhe nuk ka informata sa i përket vendimeve që i merr qoftë presidentja apo kryeministri. Nuk është pjesë e asnjë takimi formal të presidentes dhe kryeministrit. Vet kjo pasqyrë të jep idenë të kuptosh se nuk është pjesë e formës së zhvillimit të politikës së jashtme”

Gërvalla, por edhe deputetët e Partisë Guxo që janë në Grupin Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, kanë qenë më të heshtur pas arritjes se marrëveshjes bazë me Serbinë dhe aneksin e zbatimit të saj, duke mos e komentuar të njëjtën.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!