Qeveria e Shkupit miraton sot marrëveshjen për emrin

schedule12:13 - 14 Qershor, 2018

schedule 12:13 - 14 Qershor, 2018

Qeveria e Shkupit pritet të miratojë sot marrëveshjen historike për emrin të arritur me Greqinë. Mediat e dy vendeve raportojnë se akordi do të firmoset mes dy kryeministrave të shtunën në Prespë. Ndërsa eurokomisioneri Hahn ka kërkuar që BE të hapë negociatat për anëtarësim me Maqedoninë.

Marrëveshja për zgjidhjen e emrit e arritur midis kryeministrave Zoran Zaev dhe Alexis Tsipras sot pritet të miratohet në qeverinë e Shkupit. Ekzekutivi i Zaev pritet të diskutojë paraprakisht dhe më pas ta votojë marrëveshjen, e cila përcakton emrin e ri “Republika e Maqedonisë së Veriut”, që njeh identitetin dhe gjuhën maqedonase, ndërsa shtetësia do të jetë maqedonas/shtetas të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Plani i qeverisë është miratimi i marrëveshjes, firmosja e saj me palën greke, dhe më pas të fillojë procedura për ratifikimin e saj në Kuvend.

Mediat në Maqedoni njoftojnë se më 16 Qershor, marrëveshja do të firmoset në Prespë, në pjesën e territorit grek, ku do të jenë të pranishëm kryeministrat dhe ministrat e Jashtëm të të dyja vendeve. Ndërsa, gazeta greke “Efimerida” shkruan se për nënshkrimin e marrëveshjes për emrin mes Maqedonisë dhe Greqisë janë ftuar Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, ndërmjetësuesi në çështjen e emrit Metthew Nimetz, përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogherini dhe eurokomisioneri për zgjerim i BE-së, Johannes Hahn.

Pikërisht ky i fundit në një intervistë për agjencinë e lajmeve MIA shpreh bindjen se Këshilli i BE-së këtë muaj do t’i vendosë Maqedonisë datë për fillimin e negociatave për anëtarësim. Zyrtari i Brukselit nënvizon se pas këtij hapi, në vend do të ketë zhvillim të madh ekonomik me kompani të shumta që do të duan të investojnë, ashtu siç ka ndodhur në Serbi./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!