Ardian Arifaj, këshilltar i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka komentuar zhvillimet e fundit lidhur me vendimin e Gjykatës Speciale.
Arifaj tha se përkrahja e treguar është një shenjë e fortë që, sipas tij, duhet t’i bëjë përshtypje klasës politike dhe të merret parasysh bashkë me kërkesat e ngritura gjatë këtyre dy javëve.
Ai u ndal edhe te kërkesa për ndryshimin e ligjit, duke thënë se kjo është kërkesë e PDK-së, protestuesve dhe Prishtinës.
Arifaj përmendi edhe deklaratën e presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila, sipas tij, kur është pyetur për ndryshimet, ka thënë se kjo çështje i takon Kosovës dhe ndryshimet duhet të propozohen e të bëhen nga institucionet e saj.
“ Një vendim që jo vetëm nga qytetarët, por edhe juristët po cilësohet i padrejtë dhe i motivuar politikisht. Një përkrahje e tillë është një shenjë e fortë dhe duhet t’u bëjë përshtypje të gjithëve, sidomos klasës politike, dhe duhet të marrin parasysh kërkesat e sotme dhe të këtyre dy javëve. Shteti të marrë mbi vete përgjegjësinë dhe të ndikojë që të mos lejohet kjo padrejtësi dhe të bëhet finale.
Nëse po dëgjojmë të njëjtën që ka kërkuar PDK, kërkesa e parë është që të votohet në Kuvendin e Kosovës ndryshimi i ligjit. Ndryshimi është i përgatitur nga juristë, jo një pamflet politik. Edhe von der Leyen, kur u pyet për ndryshimet, tha qartë se i takon Kosovës për ndryshimet që do të propozojë dhe do të bëjë. Këtë po e kërkojnë protestuesit, PDK dhe Prishtina.”


