Qendra kombëtare e urgjencës: Kapacitete për të ndihmuar 5 deri 6 mln banorë

schedule18:10 - 12 Shtator, 2018

schedule 18:10 - 12 Shtator, 2018

Vetëm gjatë sezonit veror, rreth 8 mijë persona me shumë se një vit më parë, kanë pasur nevojë për ndihmën e mjekut. Drejtori i Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore, thotë se shpesh është dashur dhe ndërhyrja me helikopter.

Rreth 48 mijë thirrje për ndihmë kanë mbërritur pranë Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore vetëm gjatë sezonit veror, tetë mijë më shumë se vitin e shkuar. Një pjesë janë ndjekur nga bluzat e bardha në 26 qendrat shëndetësore në bregdet dhe zonat malore.

Më shumë se 1 mijë raste kanë pasur nevojë për një trajtim më të specializuar të cilët janë dërguar në spitalet rajonale, por edhe në Tiranë. Fluksi i urgjencave sipas drejtorit të Qendrës Kombëtare të Urgjencës është përballuar falë riorganizimit të autoambulancave në terren dhe ndërhyrjes me helikopter.

“Duke parë që infrastruktura dhe trafiku sidomos në verë na krijonte probleme në mbërritje, pra vendosëm autoambulancat pranë qendrave turistike. Me një personel shtesë. Kemi pasur edhe transferime drejt Tiranës, sidomos ndaj Traumës. Kemi shkuar edhe me helikopter. Ne kemi transportuar këtë verë të gjitha traumat dhe të gjithë kodet e kuqe që paraqiten në spitalet rajonale”, tha drejtori i Qendrës Kombëtare të Urgjencës

Vetë Njësia e Transportit Mjekësore ka në dispozicion tre helikopterë, të cilët me radhë i nënshtrohen procesit të mirëmbatjes. Të tjerët, Qendrës Kombëtare të Urgjencës i vihen në dispozicion nga Ministria e Mbrojtjes në rast nevoje. Një procedurë për të cilën pilotët janë ankuar se mundet të vonojë në dhënien e ndihmës mjekësore, por drejtori Brataj ka një tjetër mendim.

“S’kemi pasur asnjë rast të mos jepet ndihma ose të mos e realizojmë. Helikopterët janë në dispozicion. Ka pasur raste që kemi ngritur edhe dy helikopterë. Ne kemi tre  të kuqtë tanë që kanë qenë në radhën e punimeve që ata kryejnë, duke bërë mirëmbajtjen, duke bërë punime sepse mjetet fluturuese kanë specifika të ndryshme. Janë me orë fluturimi ose me kohë që duhet të bëjnë shërbimet e tyre. Sa herë ne si Ministri Shëndetësie kemi nevojë për helikopterët për shëndetësi, i kemi në dispozicion”. Tha Brataj

Sipas drejtuesit të saj, Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore ka kapacitete për t’u ardhur në ndihmë 5 deri në 6 milionë banorëve./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!