Nga Ajgena Korbi
Të moshuarit mbi 70 vjeç në Tiranë kanë nisur të marrin vaksinën kineze Sinovac kundër koronavirusit. Ata janë paraqitur në sheshin “Skëndërbej” ku është ngritur qendra për vaksinimin masiv të popullsisë në datën dhe orën e përcaktuar nga mjeku i familjes.
Pasi janë regjistruar e i janë përgjigjur pyetjeve të personelit shëndetësor kanë marrë injeksionin.
“Jam 74 vjeç dhe më ka njoftuar doktoresha për të bërë vaksinën”, ka thënë një i moshuar.
“Është shpejt nuk e di”, ka thënë një pensioniste.
Në këtë qendër janë angazhuar 40 mjekë dhe 88 infermierë që kryejnë injeksionet. Personeli shëndetësor po ndihmohet dhe nga Forcat e Armatosura.
Paralelisht me sheshin “Skëndërbej” vaksinimi do të vijojë dhe në stadiumin “Air Albania” dhe qendrat shendetësore. Në këto të fundit do ta marrin injeksionin moshat nga 80 vjeç e lart ndërsa në qendrat e përqendruara moshat nga 70 deri në 79 vjeç.
Planifikimi bëhet nga mjeku i familjes i cili fillimisht cakton pacientët në moshë më të madhe. Por si duhet të veprojnë ata që nuk e dinë cili është mjeku i tyre?
“ Kush nuk e di se cili është mjeku i familjes duhet të telefonojë te numri 0800 4040”, ka thënë drejtoresha e operatorit të shërbimit shëndetësor Mirela Cami.
Mjeku i familjes gjithashtu orienton sesi duhet të veprojnë dhe të moshuarit që e kanë kaluar koronavirusin.
Vaksina kineze aplikohet me dy doza me largësi një muaj nga njëra tjetra. Është me e lehtë për tu administruar pasi një flakon përdoret për një person dhe ruhet në temperaturë nga 2 deri në 8 grade.
Të dhënë këto që sipas autoriteteve shëndetësore ndihmojnë në ecurinë e shpejtë të procesit dhe arritjen e synimit për të kryer rreth 10 mijë vaksinime në ditë në të gjithë vendin. /abcnews.al

