Policia ka vënë në pranga një 30-vjeçar në Fier i cili qëlloi në drejtim të një automjeti të parkuar dhe më pas u largua nga vendi i ngjarjes. Incidenti ndodhi mbrëmjen e së premtes në fshatin Petovë të Fierit.
Sipas informacioneve, 30-vjeçari Martin Craga pas një konflikti për motive të dobëta me një qytetar me iniciale M. S., pasi qëlloi me automatik në drejtim të automjetit tip “Ford” në pronësi të M. S., 64 vjeç, u largua nga vendngjarja.
Pas ngjarjes, shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier dhe dy grupe të FNSH Fier shkuan në vendngjarje dhe u vunë në ndjekje të autorit i cili duke përfituar nga errësira ka arritur të fshihej në pyll dhe të strehohej më pas në një banesë të pabanuar të një familjari të tij.
Pas disa orëve ndjekjeje, policia mundi të kapte ditën e sotme Cragën dhe po ashtu u gjet edhe arma me të cilën ai gjuajti. 30-vjeçari, i dënuar më parë për vjedhje me armë të kryer në bashkëpunim, u vu në pranga për veprat penale “Kanosja”, “Shkatërrimi i pronës”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”. /abcnews.al/