Qëlloi me armë në takimin e PD në Laç, arrestohet autori

schedule09:04 - 29 Nëntor, 2022

schedule 09:04 - 29 Nëntor, 2022

Policia ka arrestuar Van Ricën, personi i cili qëlloi me armë zjarri në takimin e Partisë Demokratike në Laç.

Lexo edhe: Primaret ndezin sherrin mes demokratëve në Kurbin, policia zbardh dinamikën, si kërciti arma në degën e PD-së

Njoftimi i policisë:

Kurbin/Qëlloi me armë zjarri, gjatë një konflikti, arrestohet 53-vjeçari.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin, në vijim të veprimeve për konfliktin e ndodhur pasditen e djeshme, në zyrën e degës lokale të një subjekti politik, ku njëri prej anëtarëve ka qëlluar me armë zjarri, kanë vijuar kontrollet për kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim V. R.

Si rezultat i kontrolleve, u bë i mundur lokalizimi, kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit V. R., 53 vjeç, banues në Kurbin, punonjës i SHPSF-së.

Ky shtetas, gjatë takimit për zgjedhjet primare, të zhvilluar nga dega lokale e një subjekti politik, në Kurbin, pas një debati, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të derës dhe më pas është larguar.

Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar arma e zjarrit tip pistoletë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Kanosja”, “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe e municionit” dhe “Prishja e qetësisë publike”.

Ngjarja ka ndodhur në zyrat e PD –së Kurbin, gjatë një takimi formal për zgjedhjet për kryetar në këtë qytet.

Konflikti fillimisht nisi mes nënkryetarit të PD Kastriot Marku dhe një anëtari të kësaj force politike.  Konflikti ka nisur në lidhje me mosmarrëveshjet që kandidatët e primarëve kanë pasur me njëri tjetrin. /abcnews.al