Një sulm i paprecedent ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm, kur është qëlluar me breshëri plumbash mbi banesën e familjes së gazetares investigative Klodiana Lala. Fatmirësisht nga plumbat shpëtuan shtatë anëtarë të familjes së saj, mes të cilëve dhe dy vajzat e mitura. Lala vetë vlerëson se krimi ka ardhur vetëm për shkak të detyrës.
Plumbat goditën banesën në orën 03:00 të mëngjesit, kur brenda banesës gjendeshin në gjumë prindërit e gazetares së njohur të kronikës së zezë, dy vajzat e mitura, vëllai dhe dy miq të familjes.
Fatmirësisht plumbat nuk kanë lënduar asnjë prej familjarëve, ndonëse dy prej tyre kanë depërtuar në brendësi të banesës së ndodhur në zonën e Laknasit.
Pjesa tjetër kanë lënë shenja të dukshme në suvatimin e shtëpisë.
Pas ngjarjes në banesën e familjarëve të Lalës ka mbërritur policia e kryeqytetit, e cila ka nisur hetimet për ngjarjen.
Pas këqyrjes së vendit të ngjarjes dhe administrimit të provave materiale, punonjësit e policisë krehën gjithë zonën rrotull për prova, apo gjurmë të agresorit.
U mësua se sulmi me armë është kamufluar edhe nga zhurma e krijuar nga një dasmë që zhvillohej tek një nga fqinjët, ku herë pas here gjatë mesnatës ka pasur plasje fishekzjarresh.
“ABC News” kontaktoi me gazetaren Lala, e cila tha se ishte tronditur nga ngjarja. Lala garantoi se as ajo vetë dhe as ndonjë nga familjarët nuk kishin ndonjë konflikt, ndaj dhe për të dyshimi kryesor është vetëm ai i lidhur me punën si gazetare./abcnews.al