Lipedema është një çrregullim kronik i indit dhjamor që prek pothuajse vetëm gratë, megjithatë mbetet ende një nga sëmundjet më pak të diagnostikuara. Shpesh ngatërrohet me obezitetin, duke bërë që shumë gra të kalojnë vite të tëra pa marrë përgjigjen e duhur për dhimbjet dhe ndryshimet në trupin e tyre.
Në emision u diskutua gjerësisht mbi këtë patologji me mjekun estetist Dr. Genti Zikaj, trajnerin personal Armir Agovi, ndërsa në lidhje direkte ishte Rezarta Hysenaj, e diagnostikuar me lipedemë, e cila ndau historinë e saj prekëse.
Çfarë është lipedema?
Lipedema është një çrregullim kronik i indit dhjamor që karakterizohet nga grumbullimi i yndyrës në mënyrë simetrike, kryesisht në këmbë dhe në krahë. Ndryshe nga obeziteti, kjo yndyrë nuk largohet lehtësisht me dietë apo aktivitet fizik dhe shoqërohet me dhimbje, ndjeshmëri të shtuar dhe mavijosje të shpeshta.
Sipas specialistëve, kjo sëmundje prek rreth 1 në 10 gra, ndërsa tek meshkujt shfaqet shumë rrallë. Për fat të keq, ajo vazhdon të jetë e nën-diagnostikuar, pasi shumë raste ngatërrohen me mbipeshën ose obezitetin.
Shenjat që nuk duhen neglizhuar
Një nga simptomat më karakteristike është zmadhimi simetrik i këmbëve ose i krahëve. Pacientët ankohen shpesh për dhimbje të vazhdueshme, ndjeshmëri gjatë prekjes dhe mavijosje që shfaqen shumë lehtë, edhe pa goditje të forta.
Me kalimin e kohës mund të shfaqet rëndesë gjatë ecjes, ndërsa në fazat më të avancuara lëvizja bëhet gjithnjë e më e vështirë.
Mjekët theksuan se çdo person që vëren zmadhim të pashpjegueshëm të gjymtyrëve, dhimbje të vazhdueshme ose mavijosje të shpeshta duhet të drejtohet te mjeku për një vlerësim specialistik.
Si trajtohet?
Edhe pse lipedema nuk ka një kurë përfundimtare, diagnoza e hershme dhe trajtimi i përshtatshëm ndihmojnë në kontrollin e simptomave dhe ngadalësimin e përparimit të sëmundjes.
Trajtimi përfshin përdorimin e çorapeve ose mëngëve kompresive, aktivitet fizik të rregullt si ecja, noti apo çiklizmi, ushtrime që përmirësojnë qarkullimin limfatik, drenazh limfatik manual në raste të caktuara, si dhe mbajtjen nën kontroll të peshës trupore dhe kujdesin për lëkurën.
Në raste të përzgjedhura mund të rekomandohet edhe liposuksioni, por specialistët sqarojnë se ai nuk është një kurë përfundimtare. Qëllimi i ndërhyrjes është lehtësimi i simptomave dhe ngadalësimi i progresit të sëmundjes. Edhe pas operacionit, pacientët duhet të vazhdojnë trajtimin konservativ me kompresion, aktivitet fizik dhe ndjekje të vazhdueshme mjekësore.
“Mendoja se ishte vetëm mbipeshë”
Historia e Rezarta Hysenajt është dëshmi se sa e vështirë mund të jetë rruga drejt diagnozës.
Ajo tregoi se dyshimet nisën rreth një vit e gjysmë më parë, kur vuri re disa shenja të pazakonta. Duke parë në rrjetet sociale gra që flisnin për lipedemën, filloi të kuptonte se shumë nga simptomat ishin të njëjta me të sajat.
“Këmbët më nxiheshin dhe më mavijoseshin pa e kuptuar. Mavijosjet nuk largoheshin si zakonisht. Kisha edhe dhimbje në thembra dhe mendoja se gjithçka vinte nga pesha”, rrëfeu ajo.
Në atë periudhë kishte arritur në 110 kilogramë dhe, pavarësisht përpjekjeve me dieta, nuk arrinte rezultatet që priste.
Analizat nuk gjenin asgjë
Rezarta tregoi se iu nënshtrua analizave të shumta për të gjetur shkakun e problemit.
“Nuk kisha probleme me tiroiden dhe as insulinorezistencë. Atëherë vendosa të kërkoja një specialist tjetër për të kuptuar çfarë po ndodhte realisht.”
Në muajin maj ajo mori diagnozën që ndryshoi gjithçka: lipedemë në këmbë.
Megjithëse lajmi ishte i rëndë, diagnoza i dha edhe një përgjigje që e kishte kërkuar prej kohësh.
“Kjo diagnozë paradoksalisht më dha siguri. Më ndihmoi të kuptoja se problemi nuk ishte mungesa e vullnetit.”
“Qava për tre ditë”
Rezarta nuk e fshehu emocionin e momentit kur mori diagnozën.
“Qava gjatë tre ditëve të para. Vuaj edhe nga obeziteti i nivelit të dytë dhe ishte një moment shumë i vështirë.”
Ajo tregoi se pas lindjes së fëmijës së parë kishte kaluar edhe depresion post-partum, ndërsa për vite me radhë ishte përballur me paragjykime për pamjen e saj.
Megjithatë, vendosi të mos lejonte që komentet e të tjerëve ta përcaktonin.
“Nuk kam lejuar që paragjykimet të më ulin vetëbesimin. Vendosa t’i jap dorën vetes dhe të luftoj.”
Një betejë afatgjatë
Aktualisht Rezarta ndjek këshillat e mjekëve për humbjen e peshës, kryen aktivitet fizik të rregullt, përdor suplementet e rekomanduara dhe vijon trajtimet konservative. Ajo nuk ka kryer ende ndërhyrje kirurgjikale dhe shpreson të mos ketë nevojë për një të tillë. Sipas saj, mbështetja e familjes ka qenë forca më e madhe për të vazhduar përpara. “Sot e di se kjo është një betejë afatgjatë, por nuk jam më vetëm dhe nuk kam ndërmend të dorëzohem.”



